Lidhje

Obama sulmon planin e shërbimit shëndetsor të rivalit të tij Mekejn


Kandidatët kryesorë për president në Shtetet e Bashkuara, po e ndryshojnë tonin e fushatës, tani që na ndan vetëm një muaj nga zgjedhjet.

Si kandidati demokrat Barak Obama, edhe ai republikan, Xhon Mekein e kishin përqëndruar fushatën tek kriza financiare. Por tani që propozimi për dhënien e 700 miliardë dollarëve për të lehtësuar krizën e tregjeve financiare u nënshkrua në ligj, zoti Obama po e zhvendos fokusin e fushatës tek shërbimi shëndetsor.

Obama ka në plan të sulmojë planin e shërbimit shëndetsor të rivalit të tij si “radikal”, duke filluar që të shtunën, në një miting në Virxhinia. Fushata e zotit Obama thotë se plani i zotit Mekein do të rrisë koston e kujdesit shëndetësor për miliona amerikanë dhe, si rezultat miliona vetë mund ta humbasin sigurimin shëndetësor.

Zyrtarë të Partisë Republikane thanë se këto akuza janë gënjeshtra. Ata thanë po ashtu, se zoti Mekein ka në plan të përqëndrohet tek karakteri i rivalit të tij.

Një reklamë televizive e fushatës republikane akuzon zotin Obama se nuk ka qenë transparent në politikat për taksat. //bsa//

XS
SM
MD
LG