Lidhje

SHBA: Acarohet toni i fushatës presidenciale ndërsa afrohen zgjedhjet


Ndërkohë që ka mbetur rreth një muaj nga dita e zgjedhjeve në Shtetet e Bashkuata, dy kandidatët kryesorë kanë intensifikuar sulmet ndaj njeri tjetrit. Kandidati demokrat për president, Barak Obama, iu kundërpërgjegj një karakterizimi që i bëri atij kandidatja republikane për zv/presidente, Sara Pejlin, duke thënë se kundërshtari i tij republikan po përpiqet të largojë vemendjen e votuesve nga kriza financiare e vendit.

Toni i fushatës u ashpërsua në fund të javës që sapo u mbyll, kur kandidatja republikane për nënpresidente, Sara Pejlin, ndërmorri një valë të re sulmesh kundër kandidatit të Partisë Demokrate për president, Senatorit nga Illinoi, Barak Obama.

"Kudërshtari ynë e shikon Amerikën si një vend kaq të paformuar sa i lejon vetes të shoqërohet me terroristët që kanë goditur vendin e tyre".

Guvernatorja e Alaskës, Pejlin iu referua kështu shoqërisë së Senatorit Obama me Uilliam Ajrës, një profesor universiteti, i cili themeloi në vitet 60-të një grup radikal të quajtur "Weather Underground", "Koha e ilegalitetit".

Grupi mori përgjegjësinë për shpërthime bombash në disa ndërtesa qeveritare, si formë e protestës kundër Luftës së Vietnamit. Ajrës nuk i kundërshtoi kurrë këto akuza dhe nuk u ndoq ndonjëherë penalisht, por më pas i hyri karierës akademike në Çikago, dhe si rjedhojë vendosi kontakte me Barak Obamën.

Në Shtetet e Bashkuara nuk është e pazakontë për kandidatët për nën-president që të përdorin një gjuhë të ashpër, duke u përpjekur kështu të qendrojnë mbi tjetrin. Si Guvernatorja Pejlin, ashtu edhe Senatori demokrat, Xhozef Bajdën e kanë bërë këtë më parë dhe ka të ngjarë ta bëjnë përsëri deri në zgjedhje.

Por Senatorja demokrate Kller Mekaskill nga Mizuri thotë se veçanërisht këto komente tregojnë se fushata e Senatorit Mekein po përpiqet të largojë vemendjen e zgjedhësve nga problemet ekonomike të vendit. Ajo ishte ftuar për një diskutimin në kuadrin e zgjedhjeve në programin televiziv Fox News Sunday.

"A mendojnë ata me të vërtetë se Amerika do të mendojnë se Barak Obama është shoqëruar me terroristët? Barak Obama e ka kritikuar atë njeri për çfarë ai ka bërë. Dhe dua të vë në dukje, se çfarë ai njeri ka bërë i përket një periudhe kur Barak Obama ishte 8 vjeç".

Por përkrahësit e Senatorit Mekein në Kongres thonë se kandidati republikan ka të drejtë të vërë në diskutim karakterin e Senatorit Obama.

Senatori republikan Mel Martinez nga Florida, tha në progamin This Week të kanalit televiziv ABC se këto janë shqetësime të ligjshme. Ai theksoi se Senatori Obama vendosi kontakte me Ajërs kur po përgatitej të fillonte karierën në politikë.

"Kjo ka të bëjë me gjykimin e tij dhe me kë ai është shoqëruar gjatë atyre viteve e deri në këtë fushatë politike".

Që në mëngjes, të nesërmen pas komenteve të zonjës Pejlin, fushata e Senatorit Obama u kundërpërgjegj me një reklamë të re televizive, duke vënë në shënjestër temperamentin e Senatorit Xhon Mekein dhe duke diskutuar qendrimin e tij gjatë diskutimeve të Kongresit për krizën financiare.

"Sistemi ynë financiar është në krizë dhe Xhon Mekeini është konfuz dhe larg realitetit. Prandaj edhe fushata e tij kërkon të largohet nga tema".

Reklama të tilla nga kampet e të dy kandidatëve pritet të intensifikohen dhe ndoshta do të bëhen edhe më negative në ton, me afrimin e ditës së zgjedhjeve.

Sondazhet e kohëve të fundit tregojnë se Senatori Obama është aktualisht në avantazh, por në një fushatë gjithë kthesa, analistët thonë se gjithçka mund të ndodhë deri më 4 nëntor. //iç//

XS
SM
MD
LG