Lidhje

Izraeli i angazhuar në negociatat për  krijimin e shtetit palestinez


Udhëheqësja e re e partisë në pushtet të Izraelit, Tzipi Livni, është betuar se do të vazhdojë bisedimet e paqes me palestinezët ndërsa nuk do të ndalojë përballjen me Iranin. Në fjalim e saj të parë për drejtimin politik të vendit, që kur emërua për të formuar qeverinë e re, zonja Livni tha se mbetet e angazhuar në negociatat për krijimin e shtetit palestinez. Ndërkaq, Kryeminsitri aktual, Ehud Olmert, tha se gjatë vizitës së tij në Moskë këtë javë ai do t'i bëjë thirrje Rusisë të mos u shesë armë armiqve të Izraelit.

Ministrja e Jashtme e Izraelit, Tzipi Livni, e emëruar në postin e kryeministrit për të formuar qeverinë e re në Izrael është zotuar se do të vazhdojë të punojë për arritjen e paqes me palestinezët.

Gjatë fjalimit të saj të parë mbi politikat e jashtme, zonja Livni tha se ajo është e angazhuar për bisedime në lidhje me formimin e një shteti palestinez edhe pse ajo hodhi dyshime mbi qëllimin amerikan për të arritur një marrëveshje paqeje deri në fund të këtij viti. Ajo tha se kur bëhet fjalë për progres nuk ka vend për afate.

Ministrja e Jashtme Livni pati një qëndrim edhe më të fortë ndaj Iranit duke thënë se Izraeli dhe bashkësia ndërkombëtare duhet të përballen me Iranin dhe jo ta kënaqin atë.

Ajo tha se të gjitha opsionet janë në tavolinë duke lënë të kuptohet se ekziston mundësia për një sulm kundër objekteve bërthamore të Iranit para se ky i fundit të zhvillojë fuqi bërthamore. Ndërsa presidenti i Iranit ka kërcënuar se do ta zhdukë Izraelin nga faqja e dheut, zyrtarë izraelitë kanë përsëritur se ata nuk do të lejojnë që Irani të ndërtojë armë bërthamore.

Irani do të jetë në qendër të rendit të ditës gjatë vizitës së kryeministrit izraelit Olmert në Moskë javën e ardhshme. Duke folur në një takim javor me kabinetin e tij, zoti Olmert tha se ai do t'i kërkojë Rusisë të mos u shesë armë të sofistikuara as Iranit dhe as Sirisë.

"Ne do t'i theksojnë Rusisë çështjet me rëndsi për Izraelin përfshirë këtu edhe furnizimin me armë të elementëve të papërgjegjshëm", tha zoti Olmert.

Izraeli është shumë i shqetësuar se Rusia mund t'i shesë Iranit raketa anti-ajrore të cilat do t'i shërbenin Iranit si mbrojtje e shkëlqyer nga sulmet izraelite. //iç//

XS
SM
MD
LG