Lidhje

Marrëdhëniet e administratës së re amerikane me botën islame

  • Mohamed Elshinavi

34 amerikanë të shquar – përfshirë ish Sekretaren e Shtetit Medllin Ollbrajt dhe ish të dërguarin amerikan në Lindjen e Mesme Denis Ros, thonë në një raport se presidenti i ardhshëm amerikan duhet të krijojë një përqasje të re ndaj vendeve myslimane. Raporti është formuluar nga dy organizata jofitimprurëse. Ai synon të shkojë përtej konfliktit, keqkuptimit dhe mosbesimit në marrëdhëniet me botën arabe.

Qysh nga sulmet terroriste të vitit 2001 dhe ndërhyrjes amerikane në Irak në vitin 2003, janë shtuar tensionet me shumë vende muslimane.

Në shumë nga këto vende, administrata amerikane dhe deri diku gjithë Shtetet e Bashkuara janë pritur keq.

Megjithë deklaratat ndryshe nga ana e Shteteve të Bashkuara, arabët janë të prirur të besojnë se Amerika është anti-myslimane. Politika amerikane për konfliktin arabo-izraelit, që shihet si favorizuese ndaj shtetit hebraik, nuk ka ndihmuar.

Autorët e raportit thonë se Shtetet e Bashkuara duhet të adoptojnë një drejtim të ri. Dejvid Fermën është bashkëdrejtues i projektit.

“Raporti ynë ka një strategji me katër shtylla. E para është zgjidhja e konflikteve pikë së pari përmes diplomacisë. E dyta është përmirësimi i qeverisjes dhe pjesëmarja civile në vendet myslimane në partneritet, pa diktuar formën e zhvillimeve demokratike apo të qeverisjes. E treta është bashkëpunimi për partneritete me përfitime reciproke ekonomike për të krijuar vende pune dhe për të zhvilluar vendet myslimane si dhe tregëtinë për Shtetet e Bashkuara. Dhe së fundmi ndërtimi i respektit reciprok dhe i mirëkuptimit mes shoqërive tona dhe njerëzve tanë në çdo nivel”.

Zoti Fermën thotë se fushata presidenciale përcaktoi kohën e publikimit të raportit. Grupi kërkon t’ja japë atë republikanit Xhon Mekein dhe demokratit Barak Obama për mendime mbi politikën e jashtme.

“Ne rekomandojmë që presidenti i ardhshëm t’i bëjë thirrje të qartë vendit për të synuar në përmirësimin e marrëdhënieve me botën myslimane si prioritetin kryesor të politikës së jashtme qysh në fillim të administratës".

Ingrid Matson është presidente e Shoqatës Islamike të Amerikës së Veriut dhe anëtare e grupit. Ajo thotë se raporti ofron një alternativë ndaj një strategjie që ka nxitur armiqësinë e botës myslimane ndaj Shteteve të Bashkuara.

“Ne pranojmë në raport rëndësinë e medias, portretizimin prej saj të Islamit dhe myslimanëve si dhe portretizimin e amerikanëve në botën arabe. Kështu që duhet të sigurojmë se këto gjëra të ndodhin në të njëjtën kohë, pasi duhet të ketë politika të mira por duhet të ketë gjithshtu informacion të saktë dhe dialog në të gjitha nivelet e popullatës në përgjithësi”.

Ahmed Junis është analist me Qendrën Gallup për Studime Myslimane. Grupi anketoi myslimanë në mbarë botën.

"Pika kryesore për rekomandimet tona që paraqitet në raport janë opinionet e myslimanëve dhe arabëve për mënyrën sesi Shtetet e Bashuara duhet të ndryshojnë në marrëdhëniet me shoqëritë dhe vendet e tyre".

Autorët e raportit shpresojnë se ai do të ndihmojë në ndryshimin e opinionit publik në Shtetet e Bashkuara dhe do të kontribuojë në ndryshimin e politikës amerikane drejt botës islame. (ze)

XS
SM
MD
LG