Lidhje

Format e ripërtëritshme të energjisë përmes mullinjve të erës


Ndërsa çmimet e energjisë nëpër botë vazhdojnë të rriten, shumë pronarë shtëpish në Shtetet e Bashkuara po shprehin gjithnjë e më tepër interes për format e ripërtëritshme të energjisë. Korrespondenti i Zërit të Amerikës, Xhef Suajkord na njeh me një fermer kuajsh në veri të Uashingtonit, i cili mendon se turbinat e erës janë përgjigja e duhur për problemet me energjinë.

Dr. Karlos Fernandez rrit kuaj të rrallë të racës Paso Fino nga Puerto Riko në fermën e tij në veri të Uashingtonit.

Dr. Fernandez mban 20 kuaj në dy hambarë, ka dy shtëpi si dhe disa struktura të tjera brenda pronës së tij. Të gjitha këto punojnë me energji elektrike.

Vitet e fundit, Dr. Fernandez po punon që ferma e tij e kuajve të marrë energji vetëm nëpërmjet fuqisë së erës.

"Rritja e çmimeve të karburantit ka ndryshuar jetën. Besoj se do të fitonim më shumë pavarësi nëse do ta prodhonim vetë energjisë."

Doktor Fernandez ka katër mulli ere në pronën e tij. Dy nga ato janë dizenjo moderne të krijuara posaçërisht për prodhimin e energjisë elektrike në shkallë të vogël. Dy dizenjot e tjera ishin projektuar për të thithur ujin nga puse të thella.

"Kjo dizenjo u prodhua në vitin 1905. E gjeta rastësisht atë gjatë një ankandi. E mora me vete dhe fillova ta shndërroj në një prodhues energjie."

Sipas Organizatës Amerikane për Energjinë e Erës, interesi për teknologjitë e erës me fuqi të ulët është rritur. Organizata thotë se 10 mijë turbina u shitën në Shtetet e Bashkuara vitin e kaluar. Ajo shpreson që vitin e ardhshëm numri i turbinave të rritet me 20 për qind. Zoti Ron Stimel mbështet energjinë që prodhohet nga era me fuqi të ulët.

"Interesi për këto forma energjie është rritur ndjeshëm. Njerëzit janë të interesuar për të ardhmen e energjisë në shtëpitë e tyre, që të jenë të pavarur nga energjia dhe të japin kontributin e tyre për të mbajtur të pastër ambjentin.”

Dr. Fernandez punon edhe si tregtar. Konsumatorët gjithashtu mund të zgjedhin nga qindra modele në treg, të cilat variojnë nga 14 deri në 60 mijë dollarë.

Sipas studimeve, një shtëpi mesatare amerikane harxhon rreth një mijë kilovatë elektricitet në muaj. Këto modele mund të prodhojnë nga 400 deri një mijë kilovat në muaj në varësi të erës.

"Problemi më i madh me energjinë e erës është pozicioni i kullës. Sigurisht pemët duhet të jenë vendosur larg mullinjve.”

Dr. Fernandez thotë se ai nuk ka fituar pavarësi të plotë përsa i përket energjisë. Por pasi instaloi turbinat e erës, sasia e energjisë që ai duhet të merrte nga kompania lokale u ul nga 5 mijë e 400 kilovatë në muaj në 2 mijë kilovatë.

Doktor Fernandez thotë se herët a vonë ai do të prodhojë më shumë sesa harxhon. Kështu duhet të gjej mënyrën për të marrë maksimumin nga çdo turbinë, thotë ai. E rëndësishme është që të arrihet pavarësia e energjisë. //bsa//

XS
SM
MD
LG