Lidhje

Sonte, debati i dytë presidencial Obama-Mekein


Në Shtetet e Bashkuara, kandidati republikan për president, Xhon Mekein do të ketë sonte një rast për të frenuar hovin e rivalit demokrat Barak Obama gjatë debatit që ata do të zhvillojnë, i dyti në serinë e tre debateve presidenciale.

Ndërkohë që mbeten vetën 3 javë deri në zgjedhje, anketat tregojnë se kriza ekonomike e ka ndihmuar zotin Obama të thellojë epërsinë ndaj senatorit Mekein.

Debati që zhvillohet sonte në Nashville të shtetit Tenesi mund t’i japë fushatës së zotit Mekein ndoshta një shans të fundit për të rimarrë veten.

Anketimet në Shtetet e Bashkuara tregojnë se kandidati për president Barak Obama udhëheq ndjeshëm garën ndaj rivalit të tij Xhon Mekein në prag të debatit që zhvillohet sonte dhe që konsiderohet si mjaft i rëndësishëm për zgjedhjet e 4 nëntorit. Sipas anketimit të përbashkët të kryer nga gazeta “Washington Post” dhe televizioni “ABC News”, të publikuar sot, zoti Obama kryeson garën me zotin Mekein 51 me 45 përqind në shtetin Ohajo, një shtet i rëndësishëm në garën për në Shtëpinë e Bardhë.

Personat e anketuar i kanë dhënë më shumë pikë zotit Obama për çështjen e ekonomisë dhe për ndryshimin që duhet të ndodhë në Washington. Një anketim i kryer nga CNN-i arrin në përfundimin se zoti Obama udhëheq garën me 53 ndaj 45 për qind.

Por një tjetër anketim, i kryer nga agjencia Rojters, televizioni C-Span dhe organizata Zogby tregonte se zoti Obama udhëheq garën me vetëm 3 për qind. Senatorët Mekein dhe Obama do të zhvillojnë sonte debat në Nashville të shtetit Tennesee, ndërsa të dyja fushatat po i intesifikojnë sulmet ndaj palës tjetër, të cilat tashmë po zhvillohen në planin personal.//lk

XS
SM
MD
LG