Lidhje

Sfida me të cilat përballet Detroiti në kohë të vështira ekonomike

  • Beri Ud

Detroiti i Miçiganit, qendra e tre kompanive të mëdha të makinave, është vendlindja e industrisë botërore të automobilëve. Por ky qytet, së bashku me kompanitë e makinave nga të cilat ai varet, po kalon tani kohë të vështira ekonomike.

Dikur Detroiti ishte një qytet madhështor dhe i begatë. Por trazirat raciale para 40 vjetësh dhe largimi i të bardhëve drejt periferisë patën pasojat e tyre. Sot, një pjesë e mirë e qytetit është e braktisur. Popullsia që dikur ishte rreth 2 milion, tani ka rënë në gjysmën e kësaj shifre. Keith Crain është botues i gazetës "Crain's Detroit Business":

”Mendoj se qyteti i Detroitit, ashtu si edhe industria e makinave kanë arritur pikën më të ulët. Ai ka humbur mbi një milion banorë, të cilët janë larguar për në periferi",- thotë ajo.

Rënia e pandërprerë e industrisë së makinave e ka çuar qytetin në një tjetër pikë të ulët. Papunësia arrin në rreth 10 përqind. Një e treta e popullsisë jeton nën nivelin e varfërisë.

Një kilometër nga qendra e qytetit njerëz të pastrehë jetojnë në varfëri, pikërisht aty ku dikur arrinin trenat dhe ku luante ekipi i famshëm i bejsbollit, Tigrat e Detroitit.

Në pjesën lindore, dikur të begatë të qytetit, mësuesi i papunë Lesli Smith thotë se kurrë nuk e ka parë ekonominë në gjendje kaq të keqe:

”Ne kemi 5 vjet që jemi në depresion ekonomik, kurse të tjerët sapo kanë filluar të preken."

Tani që vendet e punës po pakësohen dhe tregu i shtëpive ka rënë, Smith është pesimist.

"Unë bile nuk kam dashur që vajza ime të kthehet në Detroit për të gjetur punë. Më mirtë të kërkojë diku tjetër."

Biznesmeni i vogël, Daniel Gori thotë se Detroiti mbetet i polarizuar nga pikpamja racore. Puna e tij bën që ai të ketë kontakte me të gjitha grupet etnike, përfshirë komunitetin e madh arabo-amerikan.

"Zezakët i kanë frikë të bardhët dhe nuk kanë besim tek ata. Të bardhët kanë paragjykimet e tyre ndaj zezakëve. Ndërsa arabët qendrojnë në mes" , - thotë ai.

Zezakët përbëjnë 85 për qind të banorëve të Detroitit. Megjithë kohët e vështira, ka edhe shënja përparimi. Disa pjesë të qendrës së qytetit po lulëzojnë. Grace Keros, pronare e një restoranti të njohur të Detroitit, thotë se është optimiste.

"Ndërtesa të reja, mjedise të reja, njerëz që po kthehen përsëri dhe po investojnë në Detroit, që kanë besim te ky qytet. Hidhni një vështrim dhe krahasojeni me dy vjet më parë. Bëni një krahasim me 2006, dhe mund ta shihni ."

Por tani për tani, Detroiti është diku mes dëshpërimit dhe rigjallërimit. Ç’rrugë do të marrë ai, kjo është ende e paqartë.//lk

XS
SM
MD
LG