Lidhje

Mekein, Obama përballë njëri-tjetrit në debatin e dytë presidencial


Kandidati republikan Xhon Mekein dhe rivali i tij demokrat Barak Obama u vunë mbrëmë përballë njëri-tjetrit në debatin e dytë presidencial. Ata shkëmbyen akuza dhe parashtruan politikat e tyre në përgjigje të krizës ekonomike, ngrohjes globale dhe çështjeve të politikës së jashtme. Në debatin që u zhvillua mbrëmë në Nashvil të shtetit Tenesi, Senatori Mekein fajësoi për krizën financiare atë që e cilësoi si "babëzinë për para dhe shpenzimet pa kriter" në Uoll Strit dhe Shtëpinë e Bardhë. Ai tha se ka në plan ta zgjidhë krizën duke i dhënë urdhër qeverisë që të ri-negociojë kreditë e pashlyera për të ndihmuar amerikanët që të mos u konfiskohen banesat. Senatori Obama i cilësoi problemet financiare si "gjykimi i fundit" për politikat e dështuara të Presidentit Xhorxh Bush, që gëzuan edhe mbështetjen e Senatorit Mekein. Të dy kandidatët parashtruan edhe politikat e tyre për angazhimin amerikan në Irak dhe Afganistan. Zoti Obama theksoi nevojën e një tërheqjeje të përgjegjshme nga Iraku, duke shtuar se Afganistani mbetet fronti kryesor i luftës kundër terrorizmit. Ndërkaq zoti Mekein tha se tërheqja nga Iraku do të çonte në disfatë për trupat amerikane.

Ekonomia ka kryesuar titujt e lajmeve këto ditët e fundit, dhe siç pritej, ishte tema që angazhoi pjesën më të madhe të debatit të mbrëmshëm presidencial. Në përgjigje të një pyetjeje lidhur me mënyrën më të shpejtë dhe më efektive për të ndalur krizën aktuale të sektorit financiar, Senatori demokrat Barak Obama, foli për nevojën për të ndjekur me kujdes zbatimin e paketës së ndihmave për sektorin financiar. Por kandidati demokrat theksoi se kjo ishte thjesht fillimi i politikave të tij dhe se ai si president synonte të nxiste rritjen ekonomike duke forcuar klasën e mesme përmes uljes së taksave.

"Klasa e mesme ka nevojë për një paketë ndihmash. Kjo nënkupton ulje taksash për klasën e mesme. Kjo nënkupton ndihmë për pronarët e shtëpive, në mënyrë që atyre të mos u konfiskohet banesa."

Tema e stabilizimit të tregut të shtëpive gjeti jehonë edhe në komentet e Senatorit Mekein. Për këtë arsye, tha ai, po të zgjidhej president, ai do t'i jepte urdhër qeverisë federale të ri-negocionte kontratat e kredive të shtëpive.

Të dy kandidatët shkëmbyen akuza kur erdhi fjala tek qëndrimi i tyre në Senat, para precipitimit të krizës financiare. Zoti Mekein fajësoi pasivitetin e demokratëve, duke veçuar edhe Senatorin Obama, si pengesë ndaj kontrollit mbi kompanitë e kredive. Zoti Obama nga ana e tij nënvizoi se vetë heqja e kontrollit mbi sektorin financiar ishte vepër e republikanëve.

Lidhur me hapat e parë në ndihmë të ekonomisë, zoti Mekein theksoi stabilizimin e tregut të shtëpive.

"Miqtë e mi, nëse nuk stabilizojmë çmimet e shtëpive në Amerikë, nuk do të arrijmë kurrë të ndryshojmë gjendjen, të hapim vende të reja pune dhe të stabilizojmë ekonominë. Duhet t'i rikthejmë Amerikës besimin."

Zoti Obama theksoi nevojën për përgjegjshëri në Uashington, duke vënë nën kontroll shpenzimet qeveritare. Ai iu kundërvu portretizimit të tij nga fushata republikane si një njeri që synon të rrisë taksat dhe shpenzimet qeveritare, duke thënë se në bilancin përfundimtar, politikat e tij do të shkurtojnë shpenzimet dhe do të ulin deficitin buxhetor.

Debati mbi ekonominë përfshiu edhe politikat e kandidatëve presidencialë për të përmbushur nevojat energjetike të vendit në të ardhmen. Senatori demokrat Obama tha se nëse zgjidhet president, ai do të investojë në zhvillimin e burimeve alternative të energjisë, përfshirë energjinë diellore, të erës dhe atë bërthamore. Ai tha se ky sektor do të hapte 500 milionë vende të reja pune dhe do të ndihmonte Amerikën të siguronte pavarësinë nga nafta e huaj.

Zoti Mekein tha se alternativa më e mirë në përgjigje të krizës energjetike ishte energjia bërthamore. Senatori republikan shtoi se zgjerimi i shpimeve në det ka rëndësi jetike për Shtetet e Bashkuara në mënyrë që të rritet oferta, në raport me kërkesën, duke rezultuar në uljen e çmimeve.

Duke folur për politikën e jashtme, zoti Mekejn tha se plani i senatorit Obama për të caktuar një datë për tërheqje nga Iraku do të çonte drejt një lufte më të gjerë, në rritjen e ndikimit të Iranit në rajon dhe disfatën e trupave amerikane. Por zoti Obama, nga ana e tij, tha se Iraku nuk kishte të bënte fare me sulmet e 11 shtatorit 2001 kundër Shteteve të Bashkuara, dhe ndërsa Amerika përqendrohej tek Iraku, ideatori i sulmeve terroriste, Osama Bin Laden ndodhej tjetërkund.

Senatori Obama tha se Shtetet e Bashkuara po shpenzojnë 10 milion dollarë në muaj në Irak, ndërkohë që ai vend ka një sufiçit prej 79 milionë dollarësh. Ai tha se trupat amerikane duhet të tërhiqen me kujdes nga Iraku dhe trupa shtesë duhet të dërgohen në Afganistan. Të dy kandidatët presidencialë ishin të të njëjtit qëndrim se Irani nuk duhet të lejohet të shtjerë në dorë armë bërthamore dhe të dy po ashtu kanë bërë thirrje për vendosjen e sanksioneve më të rrepta kundër Republikës Islamike.

Zoti Mekejn tha se Shtetet e Bashkuara nuk do të prisnin vendimin e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara për të vepruar nëse Teherani do të sulmonte Izraelin. Ndërsa zoti Obama tha se Shtetet e Bashkuara nuk duhet të heqin dorë kurrë nga mundësia e ndërhyrjes ushtarake për sa i përket Iranit. Por ai shtoi se i mbështet bisedimet me Iranin për të treguar se nëse Teherani nuk ndryshon qëndrim, atëherë pasojat do të ishin të rënda.

Për sa i përket Rusisë, të dy kandidatët shprehën shqetësim për veprimet e fundit ushtarake të Moskës në Gjeorgji. Senatori Mekejn tha se Shtetet e Bashkuara duhet të tregojnë mbështetje morale ndaj Gjeorgjisë dhe Ukrainës dhe se Rusia duhet ta kuptojë se sjelljet agresive janë të papranueshme. Ndërsa zoti Obama tha se pavarësia energjetike është qenësore për qendrimin që do të mbajnë Shtetet e Bashkuara ndaj Rusisë në të ardhmen.

Në lidhje me Pakistanin, senatori Obama tha se, si president, ai do të zgjeronte marrëdhëniet jo-ushtarake të Shteteve të Bashkuara me Islamabadin. Por ai tha gjithashtu se Amerika do të ishte e gatshme të gjurmonte dhe kapte udhëheqësin e al-Kaidës Osama Bin Laden edhe brenda territorit pakistanez nëse qeveria e Islamabadit nuk do ta bënte këtë. Zoti Mekejn tha se kjo politikë e zotit Obama do ta bënte opinionin publik në Pakistan t'i kundërvihej Shteteve të Bashkuara. Senatori nga Arizona tha se Amerika duhet ta ndihmojë qeverinë e Pakistanit të fitojë përkrahjen e popullit të saj dhe t'i kundërvihet Talebanit dhe al-Kaidës.//ad//

XS
SM
MD
LG