Lidhje

Ndikimi i krizës së kredive tek bizneset e vogla në SHBA


Ndërkohë që Rezerva Federale bëri të njohura masat për lehtësimin e krizës së kredive, pronarët e bizneseve të vogla në Shtetet e Bashkuara thonë se kufizimet në tregun e kredive po i dëmtojnë ata. Majk O’Sallivan njofton nga Los Anxhelosi se kriza financiare po ndikon thuajse tek të gjithë bizneset, duke përfshirë shitësit e makinave, restorantet e fast-fudit dhe dyqanet e shitjes me pakicë.

Alfred Minas, imigrant nga Armenia, ka një dyqan këpuctari dhe thotë se puna tani ka rënë shumë.

“Duket se njerëzit janë në panik. Njerëzit që kanë para nuk po shpenzojnë. Njerëzit pa para nuk kanë çfarë të shpenzojnë. Dhe biznesi po bie çdo ditë.”

Ekonomisti Eduardo Martinez nga Korporata për Zhvillimin Ekonomik në komunën e Los Anxhelosit thotë se disa biznese po i ndjejnë kufizimet në të dy anët, si nga bankat që hezitojnë të japin kredi, ashtu edhe nga konsumatorët që nuk duan të shpenzojnë para.

“Sidomos shitësit e makinave dhe mobiljeve janë goditur rëndë nga rënia e shpenzimeve të konsumatorëve. Por tani, ata e kanë të vështirë edhe të marrin kredi për të porositur produktet që duan të shesin në dyqane.”

Ai thotë se rënia ekonomike ka prekur edhe bizneset si Mekdonalds, i cili ka investuar shumë në paisje të reja për të ofruar lloje të ndryshme kafesh. Bankat hezitojnë t’u japin pronarëve të këtyre bizneseve para për t’i blerë këto paisje.

Zoti Martinez thotë se pasiguria në tregjet evropiane të kredive po i dëmton bizneset lokale gjithashtu sepse firmat e mëdha britanike, gjermane, franceze dhe hollandeze kanë aksione në industrinë e argëtimit, të bankave, financave dhe prodhimit.

Disa pronarë biznesesh shpresojnë të mbijetojnë pavarësisht nga kriza. Vëllezërit Piter dhe Çarli Vu, imigrantë nga Hong Kongu, themeluan kompaninë Megatojs para 20 vjetësh. Çarli Vu thotë se kompania e parashikoi krizën dhe mori masa duke siguruar kredinë e saj. Megjithatë, shton Çarli, edhe dollari i dobët po ndikon tek bizneset që importojnë.

Ekonomisti Eduardo Martines thotë se shumicës së bizneseve u duhet të marrin kredi për të vazhduar punën. Por problemet do të ndjehen edhe nga bizneset me pak shpenzime, të cilët do të vazhdojnë të përballen me konsumatorë që nuk duan t’i shpenzojnë paratë e tyre. //bsa//

XS
SM
MD
LG