Lidhje

Fran Drescher në Kosovë: “Mbijetova për të treguar”


Aktorja e njohur amerikane, Fran Drescher, po qëndron për një vizitë në Kosovë në kuadër të përpjekjeve për të rritur ndërgjegjësimin e njerëzve për luftë kundër kancerit të gjirit. Zonja Drescher e cila është emëruar si e dërguar e diplomacisë publike amerikane, tha në një intervistë për Zërin e Amerikës se gjatë qëndrimit në Kosovë, do të diskutojë përvojat e saj si një grua që ka mbijetuar kancerin. Në intervistën dhënë korrespondentit tonë në Prishtinë Besim Abazi, zonja Drescher tha se misioni i saj është mbështetja e krijimit të shoqërive ku gruaja të çmohet si pasuria më e madhe.

Zëri i Amerikës:Zonja Drescher para pak çastesh juve ju dhuruan flamurin më të ri në botë....

Fran Dreschler:Po, jam shumë e ngazëllyer dhe e nderuar të jem këtu në këtë shtet të ri dhe për gjithë atë që ai zotohet të jetë.

Zëri i Amerikës:Si e dërguar e re e diplomacisë publike të Shteteve të Bashkuara në ndërgjegjësimin e njerëzve për çështjet që kanë të bëjnë me shëndetin, cilat janë sfidat kryesore të misionit tuaj?

Fran Drescher:Mendoj se si e mbijetuar nga kanceri, unë kisha ndjenjën se u bëra e njohur, pata kancerin dhe mbijetova për të treguar. Prandaj e shndërrova në mision jetik që të flas me gratë në tërë botën dhe të ndaj me to atë që unë e mësova me shumë mundim, pra se cilat janë simptomat e para të kancerit dhe cilat janë mundësitë, që ato të bëhen partnere më të mira me veten e tyre. Sepse gratë synojnë të jenë ato që përkujdesen për fëmijët, bashkëshortët dhe të moshuarit pothuaj në çdo shtëpi në tërë botën. Është me rëndësi që ato ta kenë shëndetin e tyre përparësi, meqë, nëse gruaja i vë në radhë të parë nevojat e familjes ajo do t'i lërë ato në fakt si të fundit, sepse ajo do të jetë e padobishme nëse është gjashtë këmbë nën dhe.

Zëri i Amerikës:Ju jeni e njohur jo vetëm si yll filmi dhe shkrimtare, por edhe si një grua që i trimëron njerëzit të luftojnë kancerin dhe të ruajnë humorin e mirë. A është e vështirë një gjë e tillë?

Fran Drescher:Është shumë e vështirë kur e lufton kancerin që të përpiqesh të gjesh kënaqësi në jetë. Por, është e domosdoshme dhe e rëndësishme që ta bësh këtë. Në të kundërtën kanceri do të shndërrohet në gjithçka dhe nuk duhet të jetë kështu. Kur kam shkruar librin tim "Kancer Shmancer", fillova të mendoj për gjërat që më dukeshin qesharake kur zhvilloja betejën me kancerin. Dhe e kuptova se krahas me dhimbjen qëndron edhe kënaqësia. Është me rëndësi që ta pranojmë këtë. Dhe jo vetëm të shohim në errësirë por të kërkojmë dritën.

Zëri i Amerikës:Pas librit ju themeluat edhe organizatën tuaj jo fitimprurëse, "Kancer Shmancer". Ku përqendrohet më shumë kjo organizatë?

Fran Drescher:Në jemi të përkushtuar që të sigurohemi se të gjitha gratë e diagnostifikuara me kancer, të diagnostifikohen në fazën e parë kur ai më së shpeshti është i shërueshëm. Nëse kjo bëhet në fazën e hershme, shumica e grave do të mbijetojnë. Dhe arsyeja pse kemi humbur gra nga kanceri është se shpesh ato janë diagnostikuar në faza të vonshme. Janë katër periudha të kancerit dhe e katërta është e fundit kur kanceri është më i përhapur në trup. Shanset për të mbijetuar janë më të vogla sa më shumë që kanceri përparon. E di se ka shumë organizata në botë që kërkojnë ilaçin, por unë mendoj se tani për tani, diagnostikimi në fazën e parë është ilaçi.

Zëri i Amerikës:A jeni e kënaqur me masat që ka ndërmarrë qeveria juaj për këtë çështje?

Fran Drescher:Jo, natyrisht jo. Më janë dashur dy vjet dhe tetë mjekë për të marrë diagnozën e saktë. Jam diagnostikuar dhe trajtuar gabimisht në kohën kur kanceri ishte beninj dhe nuk ishte rrezik për jetën time. Kjo është shumë e shprehur sepse në fazat e hershme kur është më i shërueshëm kanceri jep shenja beninje. Kështu që, për shembull, një grua me kancer të vezores mund të diagnostikohet gabimisht dhe të humbë një kohë të çmueshme sepse ky kancer është shumë agresiv. Si pasojë e kësaj 80 për qind e grave me kancer të vezoreve mund ta zbulojnë këtë në faza ta vonshme dhe rreth 70 për qind e tyre të vdesin. Dallimi ndërmjet një gruaje të diagnostikuar në fazën e parë me atë në fazën e katërt, është se në fazën e parë ajo ka 100 për qind mundësi të mbijetojë, ndërsa në fazën e katërt kjo mundësi zbret në 20 për qind. Kanceri im i mitrës është i tillë që rritet më ngadalë, por ai është i vetmi me shkallën e vdekshmërisë në rritje, meqë gratë nuk e kuptojnë se me çfarë kanë të bëjnë nga simptomat e para. Kjo është arsyeja pse unë kam vendosur të punoj për edukimin e grave, pajisjen e tyre me njohuri, sepse kur ato janë të tilla atëherë janë të pandalshme. Mendoj se duhet të punojmë për ndërgjegjësim sa më të madh për këtë çështje. Kjo duhet të përfshijë, gratë, familjet e tyre, qeveritë, komunitetin e mjekësisë dhe një numër të madh të atyre që ndihmojnë për të ndryshuar mënyrën tonë të ndjenjës ndaj shëndetit të gruas globalisht. Mendoj se gratë janë pasuria jonë me e rëndësishme.

Zëri i Amerikës:Mbase miliona gra mund të jenë "shëruar" duke ju ndjekur në rolin tuaj në serinë "Dadoja". Cilat janë planet tuaja në këtë aspekt si aktore, si shkrimtare? A mund të presim filma të rinj, libra të rinj?

Fran Dreshcer:Sapo kam shkruar një libër për fëmijë dhe besoj se do të jetë i përfunduar vitin që vjen, meqë duhet të ilustrohet. Sapo kam bërë gjithashtu një skenar për një komedi romantike. Jam duke bërë shumë gjëra, por çështja që më fle më shumë në zemër është qëllimi im që të punoj për rritjen e ndërgjegjësimit të grave dhe shoqërive në përgjithësi se sa e rëndësishme është që shëndeti i gruas të jetë përparësi dhe të krijohen shoqëri të cilat të jenë më miqësore ndaj grave. //ii

XS
SM
MD
LG