Lidhje

Francezi Lë Klecio fiton Nobelin për letërsi


Shkrimtari francez Zhan-Mari Gustav Lë Klecio fitoi sot çmimin Nobel për letërsinë.

Akademia suedeze e përshkroi Lë Klecion si “autor i aventurave poetike dhe ekstazës sensuale”. Shkrimtari 68 vjeçar u lind në Francë, jetoi në Nigeri për një kohë të shkurtër kur ishte fëmijë dhe ka dhënë mësim në universitete në Tailandë, Meksikë dhe Shtetet e Bashkuara.

Ai tërhoqi vëmendjen me romanin e tij të parë, “Procesverbali” në vitin 1963. Por suksesi i tij i parë i madh mbërriti me librin “Shkretëtira” në vitin 1980. Akademia suedeze tha se libri “përmban “imazhe të mrekullueshme të një kulture të humbur në shkretëtirën e afrikano-veriore”.

Zgjedhja e Zhan-Mari Lë Klecios nuk ishte krejtësisht e befasishme. Ai ishte një nga emrat e një liste autorësh, që dukej se kishin një shans të mirë për t’u nderuar me çmimin Nobel.

Akademia suedeze e përshkroi Lë Klecion si “autor i aventurave poetike dhe ekstazës sensuale” dhe veçoi sidomos romanin e tij të vitit 1980 “Shkretëtira”. Libri ishte nderuar më parë nga Akademia franceze.

Në një intervistë në radio pak para shpalljes së çmimit, Lë Klecio e pranoi se nuk do të ishte shumë i befasuar po të fitonte çmimin Nobel.

“Çmimi Nobel do të ishte një afirmim i punës së shkrimtarit. Shkrimtarët shkruajnë që vepra e tyre të lexohet, tha ai, për të marrë një vlerësim dhe ky është një vlerësim”.

Lë Klecio është një udhëtar i apasionuar dhe vendos ngjarjet e librave të tij në shumë vende. Edhe temat që ai trajton janë të larmishme dhe ai është një nga shkrimtarët francezë më të njohur jashtë vendit të tij.

I pyetur se për çfarë mund të fliste në fjalimin e tij në ceremoninë e marrjes së çmimit ai tha se mund të trajtonte problemet që hasin shkrimtarët e rinj për të botuar veprat e tyre dhe të shkrimtarëve të huaj që botojnë në vendet me treg të zhvilluar të letërsisë.//kk//

XS
SM
MD
LG