Lidhje

Bell: Evropa Juglindore do përballet me pasoja të krizës globale


Në raportin e fundit mbi prespektivën e ekonomisë botërore, Fondi Monetar Ndërkombëtar thotë se Evropa juglindore do të përballet me një ngadalësim të ndjeshëm dhe rritje të deficitit të llogarisë korrente për shkak të krizës globale dhe uljes së kërkesës nga vendet perëndimore. Drejtuesi i misionit të FMN-së në Shqipëri Gerwin Bell thotë se qeveria shqiptare duhet të gjejë mënyra për ta bërë vendin më elastik ndaj sfidave të reja. Në një intervistë për Zërin e Amerikës zyrtari i FMN-së thotë se në këtë situatë, vendimi për zgjatjen apo jo të programit të Shqiperisë me këtë institucion të rëndësishëm financiar, nuk do të jetë i vështirë.

Kriza financiare globale po përhapet me shpejtësi dhe duket se nuk do të le pa prekur edhe Shqipërinë. Megjithëse disavantazhet e mosintegrimit në tregjet botërore shihen tani si avantazhe, kjo krizë pritet të ndikojë në ngadalësimin e tregëtisë me vendet evropiane, në pakësimin e eksportimeve shqiptare, në fluksit e të ardhurave nga emigrantët, si dhe në pakësimin e investimeve të huaja. Kësaj situate i shtohet edhe problemi i kreditimit të lartë të ekonomisë, huatë e dhëna në valutë dhe mungesa e një kornize ligjore të efektshme. Drejtuesi i misionit të Fondit Monetar Ndërkombetar Gerwin Bell këshillon një monitorim të vazhdueshëm të sistemit bankar duke mos lenë pas rëndësinë që ka ndjekja nga qeveria shqiptare e politikave të një buxheti të qëndrueshëm.

"Duhet të merren masa për t’u dalë problemeve përpara. Banka e Shqipërisë ka bërë nje pune te mire. Shkëmbimi i informacioneve dhe monitorimi i aktiviteteve bankare është shumë i rëndësishëm. Është e rëndësishme të theksohet gjithashtu buxheti i cili ka luajtur deri tani një rol të rëndësishëm dhe mbështetës si për të ulur inflacionin ashtu edhe për të pakësuar tendencat e tjera. Ne këshillojmë që politikat e një buxheti të qëndrueshëm të vazhdojnë më tej. Njerëzit nervozohen kur shohin rritjen e shpenzimeve buxhetore në një kohë kur tregjet janë në këto pozita. Pra pikë së pari monitorimi është vija e parë mbrojtëse, por për rritjen e besueshmërisë nuk duhet të nënvlerësojmë rëndësinë që ka buxheti."

Kreu i misionit të FMN-së minimizon problemet që mund të kenë bankat e huaja në Shqipëri për faktin se modeli i biznesit të tyre ndryshon nga ai i bankave evropiane duke qënë se e sigurojnë pjesën më të madhe të fondeve nga depozitat e brendshme. Por megjithatë, problemi i kredive në valute mbetet shqetësues. Këtij problemi i shtohet mungesa ligjore me të cilën përballen bankat për të marrë kolateralin në rast se huamarrësi nuk arrin të paguaj.

"....Kjo është një çështje shumë e rëndësishme tani që flasim kaq shumë për sektorin financiar. Është e rëndësishme që bankat në rast se kreditë nuk paguhen dot, të jenë në gjendje të marrin kolateralin. Por ka ende probleme. Kjo duhet të jete një përparësi e veçantë për parlamentin. Një zgjidhje do të ishte që ky ligj të nxirrej jashtë paketës së kodit civil dhe të miratohej veças dhe kjo do të rriste besueshmërinë e bankave."

Zëri i Amerikës: Të flasim pak për programin e Shqipërisë me FMN-në. Çfarë do të përfitonte Shqipëria nga zgjatja e këtij programi dhe çfarë do të humbiste në rast të kundërt?

Gerwin Bell: Disa vende në situata të ngjashme kanë mësuar se është më mirë të kesh një program me FMN-në pasi siguron pjesën tjetër të botës se gjërat shkojnë si duhet me politika të matura. Në se nuk ke një program me FMN-në duhet të bindësh pjesën tjetër të botës me deklaratat e tua. Kjo nuk është e pamundur, por është diçka që qeveria shqiptare nuk e ka bërë deri tani. Kjo rrugë është më sfiduese sigurisht por pas 16 vjetë programi me FMN-në është diçka që duhet bërë. Por në se qeveria vendos të mos zgjasë programin atëherë duhet të hartojë shumë shpejt një kornizë për ti shpjeguar pjesës tjetër politikat që sigurojnë besueshmëri.

Zëri i Amerikës: Dhe në një kohë si kjo tani me lëkundje në tregjet financiare a do të ishte vendimi i duhur shkëputja nga programi i FMN-së?

Gerwin Bell: Nuk e di. Ky është një debat i drejtë. Ka nga ata që mendojnë se me një program të FMN-së ke një siguri më të madhe dhe ka të tjerë që thonë se pas një kohe kaq të gjatë duhet të shkëputemi. Të dyja palët kanë të drejtë. Pyetja është ku e shikon balancën e rreziqeve dhe përfitimeve. Vendimi duhet të jetë i menduar mirë dhe në gjendjen e tanishme në botë është më e lehtë të marrësh vendimin e duhur.

Zëri i Amerikës: Ju do të zhvilloni bisedime javën e ardhshme me delegacionin shqiptar. Në se programi do të zgjatej çfarë forme do të kishte ai?

Gerwin Bell: Ka disa variante. Ne jemi të hapur të diskutojmë mënyra të ndryshme. Ajo që ndoshta nuk na duhet të përsërisim është një marrëveshje strukturore si kjo e tanishmja pasi Shqipëria është larguar nga grupi i vendeve me të ardhura të ulta. Nuk mendoj se duhet një tjetër program tre vjeçar, ndoshta një më i shkurtër. Mund të mos jetë ndoshta një program ku Shqipëria duhet të tërheqë para, mund të jetë thjesht një program për të shmangur të papriturat ku hidhen para në se kriza globale përhapet në Evropën Lindore.//lk

XS
SM
MD
LG