Lidhje

Akuza mbi përgjimin e telefonatave të amerikanëve


Dy ish-gjuhëtarë të ushtrisë amerikanë kanë ngritur akuza se zyrtarët amerikanë të zbulimit kanë regjistruar në mënyrë të papërputhshme me rregulloret, bisedat personale të amerikanëve që banojnë jashtë vendit, gjatë kontakteve telefonike me familjet e tyre në Shtetet e Bashkuara.

Dy gjuhëtarët thanë në një intervistë për emisionin televiziv ABC News se vëzhguesit kishin përgjuar bisedat telefonike të punonjësve të Kryqit të Kuq dhe personelit ushtarak.

Në një deklaratë, kryetari i Komisionit të Senatit për Shërbimet e Zbulimit, Senatori demokrat Jay Rockefeller, i cilësoi akuzat si “tepër shqetësuese” dhe tha se zyra e tij po zhvillon hetime lidhur me to.

Dy gjuhëtarët e ushtrisë thanë se kishin dëshmuar procedura që bien në kundërshtim me rregulloret, gjatë punës së tyre për Agjencinë e Sigurisë Kombëtare, në Fort Gordon të shtetit Georgia. Gjuhëtarja ushtarake Adrienne Kinne ka punuar nga viti 2001 deri në vitin 2003 për këtë agjenci. Gjuhëtari i marinës David Murfee Faulk ka punuar atje nga viti 2003-2007.

Administrata e Presidentit Bush ka thënë se programi për përgjime qeveritare është treguar i vëmendshëm për të përgjuar persona të dyshuar për terrorizëm dhe për të respektuar jetën private të shtetasve amerikanë. (ze)

XS
SM
MD
LG