Lidhje

SHBA: Ekonomia përsëri në qendër të fushatës presidenciale


Kandidatët presidencialë amerikanë Barak Obama dhe Xhon Mekein vazhdojnë sot fushatën, duke mbajtur në qendër të saj ekonominë në shtetet vendimtare për zgjedhjet presidenciale të muajit të ardhshëm.

Kandidati demokrat Obama u tha përkrahësve të tij në shtetin e Ohajos se kriza financiare kërkon një udhëheqje të qëndrueshme. Ai e akuzoi rivalin e tij republikan se angazhohet në sulme personale ndaj tij për të larguar vemendjen nga kriza financiare në Shtetet e Bashkuara.

Senatori demokrat nga shteti i Ilinoit e akuzoi gjithashtu senatorin Mekein për nxitjen e zemërimit dhe përçarjeve gjatë tubimeve të fushatës me kandidaten për nën-presidente, guvernatoren e Alaskës, Sara Pejlin.

Senatori Mekein u përqendrua sot kryesisht tek çështjet ekonomike ndërsa fliste me përkrahësit e tij në Uisconsin.

Ai u angazhua se po të zgjidhej president do të vepronte me shpejtësi dhe vendosmëri për ta nxjerrë vendin nga kriza. Ai akuzoi rivalin e tij Obama se kishte votuar kundër masave rregullatore që do të kishin ndihmuar për të shmangur krizën në tregun e shit-blerjes së shtëpive.

Fushata e zotit Mekein nxorri sot një reklamë ku akuzohet zoti Obama se kishte gënjyer për lidhjet e tij me Uilliam Ers, i cili kishte themeluar një grup kundër luftës në vitet 1960 që kishte ndërmarrë sulme me bomba në Shtetet e Bashkuara.

Ers, që aktualisht është profesor universiteti dhe jeton në Çikago, ka marrë pjesë së bashku me zotin Obama në dy borde shoqatash bamirëse. Senatori Obama i ka denoncuar aktivitetet radikale të zotit Ers. (ze)

XS
SM
MD
LG