Lidhje

Një mjeke nga Arabia Saudite eksploron islamizmin


Një mjeke myslimane nga Arabia Saudite po bën vizita në Shtetet e Bashkuara, ku po flet mbi përvojën e saj nën pushtetin e një mbretërie në të cilën feja që sponsorizohet nga shteti quhet Vahabizëm nga perëndimorët. Dr. Kanta Ahmed ka shkruar një libër ku përshkruan një mënyrë jetese shumë më të ndryshme se sa Islamizmi që ajo kishte praktikuar gjatë jetës së saj në Britani. Në librin e saj të publikuar kohët e fundit, Dr. Ahmed, e cila është me prejardhje pakistaneze, thotë se në Arabinë Saudite zbatohen praktika të cilat janë krejt të kundërta me fenë Islame që ajo ndjek.

Kur Dr. Kanta Ahmedit iu ofrua një punë si mjeke në Arabinë Saudite, ajo vendosi ta pranonte. Si myslimane e rritur në perëndim, ajo thotë se e mirëpriti mundësinë për ta eksploruar fenë e saj më tej në vendlindjen e Islamizmit. Por ajo që nuk priste ishte fakti se jeta në mbretërinë islamike do ta sfidonte besimin e saj.

Dr. Ahmed e filloi jetën e saj saudite me një pelegrinazh shpirtëror në qytetin e shenjtë të Mekës, udhëtim i quajtur Haxh, të cilin të gjithë myslimanët duhet ta bëjnë të paktën një herë gjatë jetës së tyre.

"E kupton menjëherë se sa i parëndësishëm është njeriu në shkallën e krijimit, dhe menjëherë e kupton madhësinë e krijuesit tënd. Por unë vetë kuptoj diversitetin tek Islami. Dhe është kaq e jashtëzakonshme që ky diversitet manifestohet çdo vit në djepin e Islamizmit, në mbretërinë e Arabisë Saudite, e cila nuk e mbështet diversitetin gjerësisht brenda shoqërisë së saj."

Dr. Kanta flet për versionin konvencional të Islamizmit, që është feja shtetërore e mbretërisë. Ajo e lidh Vahabizmin me militantët e xhihadit si Osama Bin Laden, gjë që disa studiues e hedhin poshtë.

"Ky nuk është Islamizëm. Ky është bastardim i asaj feje. Unë e di që nuk do të bëj miq duke e thënë këtë, por kjo është e vërteta."

Dr. Ahmed i tha një audience të vogël në Klubin Kombëtar të Shtypit në Uashington se jeta nën ligjin e Vahabit, i cili është kaq i ndryshëm nga Islamizmi që praktikon ajo, e ka frymëzuar të shkruajë për këtë temë.

Në librin e saj "Në Tokën e Grave të Padukshme" Dr. Ahmed i hedh një vështrim rolit të grave në një shoqëri konvencionale islamike.

"Një grua nuk mund të jetë pronare e një biznesi pa pasur një burrë në krye apo si sponsorizues. Femrat nuk mund të udhëtojnë pa lejen e meshkujve. Gratë kanë biznese. Ata kanë rreth 40 përqind të bizneseve në Arabinë Saudite dhe kontrollojnë një sasi të madhe të pasurisë ekonomike atje. Megjithatë, ato duhet të kenë një mashkull që të merret direkt me shtetin."

Drejtori i Programit të Studimeve të Myslimanëve Amerikanë në Universitetin Xhorxhtaun, Dr. Zahid Bukari, thotë se mungesa e lirisë për shumë gra saudite shpesh nuk është çështje feje.

"Kjo është çështje kulture. Nuk ka të bëjë me Islamizmin. Po të kishte lidhje me Islamin atëherë do të kishim të njëjtën gjë në të 57 vendet islamike dhe tek myslimanët në të gjithë botën, të cilët nuk i kanë këto lloj problemesh. Këto janë probleme specifike të Arabisë Saudite."

Megjithëse e sponsorizuar nga shteti, Dr. Ahmed thotë se ka parë shumë sauditë që nuk janë dakort me Vahabizmin dhe se shumë gra dhe burra po përpiqen të bëjnë ndryshime.

"Ata po arrijnë të sjellin moderim në një mjedis konvencionalizmi të rreptë."

Ajo i bën thirrje myslimanëve në të gjithë botën që të gjejnë kurajon të flasin hapur kundër akteve të dhunshme dhe atyre të kryera nga militantët xhihadistë në emër të fesë Islame.

"Mendoj se myslimanët duhet t'i bëjnë pyetje vetes se si po ndikon tek feja Islame fakti që ata nuk protestojnë ndaj sjelljeve të caktuara apo që i injorojnë këto sjellje."

Dr. Ahmed thotë se shpreson që libri i saj të tërheqë si myslimanë ashtu edhe jomyslimanë për të krijuar një mirëkuptim më të gjerë mes kulturave të lindjes dhe perëndimit.//lk

XS
SM
MD
LG