Lidhje

30 të vdekur, dhjetëra të plagosur në Pakistan


Zyrtarët pakistanezë thonë se një sulm vetëvrasës me bombë shkaktoi të paktën 30 të vdekur dhe plagosi dhjetëra të tjerë në një nga rajonet fisnore të Pakistanit pranë kufirit me Afganistanin.

Autoritetet thonë se autori i sulmit kishte në shenjestër një këshill fisnor që ishte mbledhur në distriktin Orakzai, që prej kohësh konsiderohej si një ndër 7 rajonet gjysmë-autonome më paqësore në Pakistan.

Zyrtarët e sigurimit thanë se 500 anëtarë të këshillit po takoheshin për të krijuar një ushtri private kundër militantëve pro-Taleban, kur u ndërmor sulmi me bombën e vendosur në një automjet aty pranë.

Zyrtarët thanë se këshilli kishte vendosur të shkatërronte selinë e rrjetit militant në rajon.

Ky sulm është incidenti i fundit në një seri aktesh me dhunë gjatë ditëve të fundit. Dje, të paktën 10 vetë, përfshirë nxënës shkollash, u vranë kur një bombë e kontrolluar me telekomandë shpërtheu në rajonin Dir në veri-perëndim të vendit. Një tjetër sulm vetëvrasës me bombë kishte në shenjestër ndërtesën e zyrave të njësisë anti-terroriste në kryqytetin e vendit, Islamabad, duke plagosur të paktën 7 vetë. (ze)

XS
SM
MD
LG