Lidhje

Ekspertë amerikanë flasin mbi kërkesën serbe në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë


Ekspertë amerikanë thonë se miratimi i kërkesës së Sërbisë që Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë të japë opinionin e saj mbi ligjshmërinë e shpalljes së pavarësisë përbën fitore për diplomacinë serbe. Por sipas tyre, kjo nuk do të ndryshojë politikën perëndimore mbi njohjen e pavarësisë së Kosovës. Kolegu Erjon Kruja ka përgatitur raportin në vazhdim.

Miratimi nga ana e Kombeve të Bashkuara i kërkesës së qeverisë serbe që Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë të japë opinionin e saj mbi ligjshmërinë e shpalljes së pavarësisë ka ngjallur debat në qarqet diplomatike dhe ligjore këtu në Shtetet e Bashkuara.

Prishtina zyrtare ka thënë prerazi se pavarësia e Kosovës është e pakthyeshme. Shtetet e Bashkuara kanë përsëritur jo rrallë se statusi i Kosovës tashmë është vendosur dhe nuk do të ndryshojë. Për më tepër, Shtetet e Bashkuara dhe Britania e Madhe e quajtën kërkesën e Beogradit si të panevojshme, të dëmshme dhe të pakuptimtë.

Ted Karpenter, nënpresident për politikën e jashtme dhe mbrojtjen në Institututin Kato në Uashington thotë se miratimi i rezolutës përbën një fitore të qartë diplomatike dhe ligjore për Serbinë. Por sipas tij, reagimi i disa diplomatëve evropianë është shqetësues për palën serbe.

"Paralajmërimet e ambasadorit britanik dhe atij francez në OKB se Serbia po i rrezikon mundësitë e veta për anëtarësim në Bashkimin Evropian nëpërmjet kësaj rezolute janë shumë problematike për Beogradin. Tanimë duket qartë se të paktën disa nga shtetet e Bashkimit Evropian do ta bëjnë njohjen e Kosovës kusht për hyrjen në BE".

Me njohjen e djeshme nga Maqedonia dhe Mali i Zi, arriti ne 50 numri i vendeve që kanë njohur pavarësinë e Kosovës.

Por, ndërsa rezoluta konsiderohet si sukses diplomatik për Beogradin, sipas ekspertit Majkëll O'Hanlon në Institutin Brukings Shtetet e Bashkuara dhe vendet evropiane nuk mund ta ndryshojnë pozitën e tyre për Kosovën.

"Shtetet e Bashkuara dhe BE-ja do të humbnin shumë nëse rihapin çështjen e pavarësisë së Kosovës. Pas pushtimit rus të Gjeorgjisë, besoj se ato nuk do të donin në asnjë mënyrë që Rusia të mendonte se ajo ka forcën të ndryshojë drejtimin e politikave perëndimore".

Sipas zotit O' Hanlon Shtetet e Bashkuara nuk kanë shumë opsione mbi Kosovën.

"Vendimet e së kaluarës nuk mund të zhbëhen, tani ne duhet të mbështesim qartë pavarësinë e Kosovës".

Analistët thonë se Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë do t'i duhet nga një deri në dy vjet për të marrë një vendim në lidhje me kërkesën serbe.

Eksperti Ted Karpenter thotë se vendet që janë ende të pavendosura për njohjen e Kosovës si shtet, tani do të kenë edhe një arsye më shumë për të shtyrë marrjen e një vendimi mbi këtë çështje.

Përsa i përket qëndrimit të presidentit të ardhshëm amerikan në lidhje me një vendim të mundshëm nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, zoti Karpenter thotë se ndërsa për senatorin Mekein vendimi i gjykatës nuk do të përbëjë ndonjë problem, për senatorin Obama do të jetë e vështirë të zgjedhë mes respektimit të një vendimi të marrë nga një organizate ndërkombëtare dhe një vendimi të administratës së mëparshme amerikane.

"Për senatorin Mekein do të jetë e lehtë, ai ashtu si presidenti Bush nuk i jep rëndësi institucioneve ndërkombëtareve si OKB-ja apo Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, kurse për senatorin Obama do të jetë një zgjedhje e vështirë. Ai ka theksuar rëndësinë e ligjit dhe normave ndërkombëtare dhe shumë demokratë duan ta forcojnë akoma më shumë ligjin ndërkombëtar".

Ekspertë të politikës së jashtme amerikane bien dakord që asnjë president i ardhshëm demokrat apo republikan nuk do të donte të përballej përsëri me probleme në rajonin e Ballkanit apo të rihapte çështje që në Uashington konsiderohen të mbyllura. Përfaqësues amerikanë dhe shumica e atyre evropianë janë shprehur qartë se pavarësia e Kosovës është e pakthyeshme. Se sa dhe si do të ndikojë proçesi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë tek shtetet e tjera mbetet të shihet. Për Zërin e Amerikës, Erjon Kruja, Uashington. //iç//

XS
SM
MD
LG