Lidhje

Marrëdhëniet SHBA - Rusi ndikojnë në programet hapësinore


Disa ligjvënës dhe analistë i druhen faktit se pushtimi rus i Gjeorgjisë mund të dëmtojë kërkimet amerikane në hapësirë. Agjensia Amerikane e Hapësirës NASA, është shumë e varur nga mjetet ruse për të shkuar në stacionin ndërkombëtar të hapësirës. Analistët thonë se përkeqësimi i marrëdhënieve mes Uashingtonit dhe Moskës mund të shkaktojë ndërprerjen e përdorimit nga amerikanët të anijeve ruse të hapësirës Sojuz.


Shtetet e Bashkuara e ftuan Rusinë të bashkëpunonte në stacionin ndërkombëtar të hapësirës në vitin 1993. Rusia atëherë kishte vite të tëra përvoje me stacionin e vet hapësinor Mir dhe mund t’i ofronte astronautëve amerikanë transport në anijet Sojuz të hapësirës.
Analistët thonë se Shtetet e Bashkuara ofruan në shkëmbim një marrëdhënie të re me ish kundërshtarin e Luftës së Ftohtë. Zoti Hauard MekKërdi është ekspert i hapësirës në Universitetin Amerikan në Washington.

"Ne i lejonim atyre përdorimin e anijeve tona të hapësirës për të shkuar në stacionin ndërkombëtar ndërsa pala ruse do të na lejonte ne të përdornim anijet e saj Sojuz dhe kjo do të ishte një erë e re e një marrëdhënieje miqësore bashkëpunimi në realitetin e ri ndërkombëtar të pasluftës së Ftohtë." - thotë ai


Këto ditë të bukura duket se po marrin fund për arsye të pushtimit rus të Gjeorgjisë dhe përkeqësimit të marrëdhënieve amerikano-ruse.
NASA ka ndërmend ta tërheqë anijet e hapësirës në vitin 2010. Më pas agjensia amerikane do të mund të shkojë në stacionin ndërkombëtar të hapësirës duke paguar për mjetet ruse Sojuz që të kryejë udhëtime hapësinore.
Ligji ndalon që agjensitë federale amerikane të blejnë shërbime hapësinore nga Rusia përveç rasteve kur presidenti vendos që Moska po merr hapa konkrete për të ndaluar transferimin e armëve drejt Iranit.
Agjensia NASA përjashtohet nga ky ligj, por ky përjashtim humb vlerë në vitin 2011.

Eskpertë të hapësirës thonë se, nëse Kongresi nuk e shtyn kohëzgjatjen e këtij përjashtimi atëhere programet hapësinore amerikane mund të kenë probleme.
Skot Pejs drejtor i Institutin Hapësinor të Politikave në Universitetin Xhorxh Uashington sqaron:

"Është shumë me rëndësi që Kongresi të lejojë këtë përjashtim në mënyrë që Shtetet e Bashkuara të negociojnë me Rusinë për të blerë më shumë vende në mjetet dërguese Sojuz përndryshe ne nuk do të kemi mundësi të hyjmë në stacionin ndërkombëtar të hapësirës pasi programi i anijeve hapësinore amerikane do të përfundojë në vitin 2010.” - thotë ai

Kandidati republikan për president Xhon Mekejn dhe ligjvënës të tjerë kanë shprehur shqetësim në lidhje me besueshmërinë e Rusisë si partnere në stacionin hapësinor.

Megjithatë disa ekspertë të hapësirës thonë se megjithë tensionet politike, Shtetet e Bashkuara dhe Rusia duhet të vazhdojnë të bashkëëpunim në kërkimet në hapësirë.

"Gati gjithçka që ne bëjmë sot në hapësirë zhvillohet në kontekst ndërkombëtar. Kur fluturojmë për në planetin Saturn sonda që bie mbi Titan krijohet nga Agjensia Europiane e Hapësirës. Çdo program i hapësirës praktikisht ka një pjesë të huaj dhe stacioni ndërkomëtar i hapësirës është shembulli më i qartë për këtë.” - thotë zoti Mekkërdi

Zoti Mekkërdi dhe të tjerë thonë se bashkëpunimi mes kufijve gjeopolotikë do të marrë rëndësi të veçantë jo vetëm për kërkimet në hapësirë por edhe për të gjitha sfidat e tjera shkencore të shekullit të 21-të. //mm//

XS
SM
MD
LG