Lidhje

Marrëdhëniet mes Shteteve të Bashkuara dhe Bjellorusisë


Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Europian kanë kritikuar zgjedhjet parlamentare në Bjellorusi, në të cilat asnjë kandidat kundërshtar nuk fitoi ndonjë vend. Në këtë kronikë nga Uashingtoni, korrespodenti i Zërit të Amerikës Andre de Nesnera u hedh një vështrim marrëdhënieve mes Bjellorusisë dhe Shteteve të Bashkuara.

Shtetet e Bashkuara, duke përsëritur vlerësimin e vëzhguesve evropianë, shprehën zhgënjim që zgjedhjet parlamentare të 28 shtatorit në Bjellorusi nuk ishin në përputhje me standartet ndërkombëtare. Në dallim me këtë vlerësim, Rusia, aleatja më e ngushtë e Bjellorusisë, i lavdëroi zgjedhjet.

Parlamenti i Bjellorusisë ka 110 vende. Opozita kishte paraqitur kandidaturën për 78 vende. Pas procesit të numërimit asnjë kandidat, nga ata që kundërshtonin Presidentin Aleksander Lukashenko, nuk fitoi ndonjë vend.

Analistët thonë se kritikat e Uashingtonit për këto zgjedhje në Bjellorusi ishin më të zbutura se në të kaluarën, gjë që sinjalizon një prirje për përmirësimin e marrëdhënieve mes Uashingtonit dhe Minskut.

Që nga ardhja në pushtet e zotit Lukanshenko në 1994, qeveritë perëndimore vazhdimisht kanë kritikuar qeverisjen autoritare të tij, duke e cilësuar atë si “diktatorin e fundit në Evropë.” Gjatë gjithë këtyre viteve ai ka konsoliduar tërë autoritetin në presidencë, ka vendosur kontroll shtypin dhe ka ndërshkuar çfo formë kundërshtimi.

Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian i kanë vënë sanksione Bjellorusisë duke përfshirë edhe ndalimin e udhëtimit për zotin Lukanshenko dhe zyrtarëve të lartë në pushtet.

Robert Legvold nga Universiteti Kolumbia, thotë se marrëdhëniet mes Shteteve të Bashkuara dhe Bjellorusisë kanë njohur ulje dhe ngritje.

“Vitin e kaluar, gjatë tensioneve në mes të Bjellorusisë dhe Rusisë, u duk sikur bjellorusët dëshironin të shqyrtonin mundësi të reja për bashkëpunim më të ngushtë me Bashkimin Europian dhe Shtetet e Bashkuara. Mirëpo pas përparimit të pakënaqshëm në përmirësimin e të drejtave të njeriut dhe, biles, shtypjes së këtyre të drejtave në fillim të vitit 2008 nga ana e qeverisë së Bjellorusisë, interesimi u zbeh. Zoti Lukashenko e humbi durimin dhe në një fjalim të tij në pranverë sulmoi Perëndimin dhe deklaroi dëbimin nga vendi të 10 diplomatëve amerikanë. Si pasojë, nga stafi i vogël i ambasadës amerikane në Bjellorusi, mbeten përafërsisht katër diplomatë. Karen Stuart, ambasadorja amerikane atje, u largua para se Bjellorusia të tërhiqte ambasadorin e saj në Uashington. Pra, në prill dhe në maj, marrëdhëniet diplomatike mes këtyre vendeve shënuan rënie”.

Mirëpo, analistët thonë se më vonë gjatë vitit u duk se zoti Lukashenko po përpiqej të forconte përsëri lidhjet me Perëndimin.

David Marples nga universiteti i Edmontonit në Alberta të Kanadasë thotë se ai gradualisht liroi të gjithë të burgosurit politikë, duke përfshirë edhe ish kandidatin për president Aleksander Kozulin, lirimi i të cilit ishte kërkuar me ngulm nga Perëndimi.

“Pas lirimit të Aleksander Kozulinit dhe të gjithë atyre që nga amerikanët cilësoheshin si të burgosur politikë, Shtetet e Bashkuara e interpretuan këtë veprim si një ecuri pozitive. Shtetet e Bashkuara së bashku me Bashkimin Evropian i thanë Bjellorusisë se marrëdhëniet mund të ishin përmirësuar sidomos nëqoftëse këto zgjedhje parlamentare do kishin qenë të lira dhe demokratike. Fatëkeqësisht, duket se nuk ndodhi kështu”.

Në një konferencë për shtyp të Departamentit të Shtetit, zëvendës-zëdhënësi Robert Ud la të kuptohej se Shtetet e Bashkuara synojnë të zhvillojnë dialog me Bjellorusinë.

“Nuk vihet në dyshim se ne kemi mospajtime serioze me Bjellorusinë. Siç e kishim thënë më parë këto zgjedhje do përcaktonin marrëdhëniet në të ardhmen. Pa dyshim ndjehemi të zhgënjyer që këto zgjedhje nuk përmbushën standartet ndërkombëtare. Për momentin ne diskutojmë me aleatët evropianë mundësitë për të ndihmuar përparim në këtë proces”.

Robert Legvold nga Universiteti Kolumbia, thotë se evropianët dëshirojnë të shtojnë kontaktet me Bjellorusinë.

“Ata dëshirojn të kenë një lloj bashkëpunimi me Bjellorusinë. Mirëpo pushteti autoritar i zotit Lukashenko dhe vendosmëria e tij për të mos lejuar ndryshime, e bën një gjë të tillë gati të pamundur. Por unë mendoj se Bashkimi Evropian ka vendosur të vazhdojë në këtë kahje, dhe natyrisht ne do presim se cfarë do ndodhë”.

Në fund të analizës zoti Legvold thotë se mardhënjet mes Bjellorusisë dhe Bashkimit Evropian e Shteteve të Bashkuara, do varen nga marrëdhëniet mes Minskut dhe Moskës. Nëqoftëse marrëdhëniet e tyre forcohen, zoti Lukashenko nuk do të ketë shumë motivim për t’iu përgjigjur shqetësimeve të Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian. Mirëpo, nëse ndodh e kundërta dhe marrëdhëniet mes Minskut dhe Moskës shënojnë ftohje, zoti Legvold thotë se një gjë e tillë do të krijonte mundësi për bashkëpunim më të ngushtë mes Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara me Bjellorusinë. (ze)

XS
SM
MD
LG