Lidhje

Rëndësia e zgjedhjeve në jetën politike të Bjellorusisë


Muajin e kaluar në Bjellorusi u zhvilluan zgjedhjet parlamentare. Korrespondenti i Zërit të Amerikës Andre de Nesnera i hedh një vështrim rëndësisë së zgjedhjeve për jetën politike në këtë ish republikë sovjetike të qeverisur nga presidenti autoritar Aleksandër Lukashenko.

Parlamenti i Bjellorusisë ka 110 vende. Nga opozita kishin paraqitur kandidaturën 78 vetë. Pas procesit të numërimit asnjë kandidat, nga ata që kundërshtonin Presidentin Aleksander Lukashenko, nuk fitoi ndonjë vend. Vëzhguesit ndërkombëtarë nga Organizata për Sigurimin dhe Bashkëpunimin në Evropë thonë se zgjedhjet nuk janë në përputhje me standartet demokratike. Klas Bergman ishte njëri prej vëzhguesve të OSBE-së.

"Disa nga aspektet negative, natyrisht, përfshijnë një fushatë zgjedhore tejet të kontrolluar - shumë pak debat, shumë pak fushatë zgjedhore të lirë, me një frymë demokratike. Në ditën e zgjedhjeve, votimi u mbajt në një atmosferë të qetë dhe të organizuar mirë. Ne ishim shumë të mirëpritur gati në të gjitha vendvotimet ku dërguam vëzhgues. Mangësitë filluan kur përfundoi procesi i votimit dhe filloi ai i numërimit, atëherë u ballafaquam me shumë probleme."

Zoti Bergman thekson se problemi kryesor ishte moslejimi i vëzhguesve në procesin e numërimit të votave.

"Ne nuk patëm mundësi të mbikqyrnim vijimin e procesit të numërimit të votave. Më konkretisht, disa vëzhgues nuk u lejuan të shikonin procesin dhe ne kemi disa raste falsifikimesh."

Para votimit, Presidenti Lukashenko tha se zgjedhjet do të ishin të lira si kurrë më parë. Mirëpo OSBE-ja tha se nuk ndodhi kështu dhe se procesi i numërimit të votave ishte i keq, ose shumë i keq, në 48 përqind të qendrave të votimit të vizituara.

Për dallim, Rusia i lavdëroi zgjedhjet dhe kritikoi vlerësimin e OSBE-së. Presidenti Lukashenko u tha vëzhguesve të OSBE-së se zgjedhjet ishin mbajtur në përputhje me ligjet e Bjellorusisë.

David Marples nga universiteti i Edmontonit në Alberta të Kanadasë thotë se në kushtet e mungesës së opozitës së mirëfilltë në parlament, organi ligjvënës është në fakt një miratues servil i politikave të zotit Lukashenko.

"Në vitin 1996, kur kushtetuta pësoi ndryshime, parlamenti në të vërtetë ka luajtur një rol dytësor ndaj presidencës në jetën politike të Bjellorusisë. Presidenti gëzon një pozitë shumë të fuqishme - ai mund të shkarkojë kryeministrin. Me fjalë të tjera parlamenti i ngjan më shumë një tregu se sa një parlamenti. Sidoqoftë, si fasadë në jetën politike, ky parlament jep një përshtypje se Bjellorusia gëzon një formë legjislative ku debatet janë të pranishme dhe ligjet mund të diskutohen. Pra është e rëndësishme për presidentin që të mbajë parlamentin - mirëpo natyrisht ai nuk dëshiron të këtë anëtarë të opozitës në këtë parlament."

Që nga viti 1994, kur erdhi në pushtet, zoti Lukashenko ka qeverisur Bjellorusinë me një grusht të hekur duke kontrolluar shtypin, kufizuar dhe parandaluar aktivitetet e opozitës dhe çfarëdo forme të kundërshtimit. Robert Legvold nga universiteti i Kolumbias thotë që mungesa e të drejtave të njeriut ndjehet edhe në universitete.

"Universitetet janë kthyer në vatra ideologjike për t'iu përputhur objektivave politkë të regjimit. Që nga viti 1996, ka patur aktivitete të vazhdueshme ndaj një represioni të tillë: por nëse ka patur protesta, ato janë shtypur me dhunë. Një prej shqetësimeve të fundit ishin ngjarjet në zgjedhjet e marsit të vitit 2006-të, ku mbledhja e turmave të mëdha të njerëzve nuk u tolerua, pasi në mendjen e Lukoshenkos ato filluan t'i ngjanin revolucioneve të Gjeorgjisë dhe Ukrainës."

Për shkak të shtypjes që ushtron regjimi i Lukashenkos, qeveritë perëndimore e kanë cilësuar Bjellorusinë si diktaturën e fundit në Evropë. Analistët thonë që zgjedhjet e fundit parlamentare tregojnë se shumë pak ka ndryshuar në këtë ish republikë sovjetike. //bsa//

XS
SM
MD
LG