Lidhje

Pheniani do të rifillojë çmontimin e reaktorit bërthamor të Jongbjonit


Koreja e Veriut njoftoi se do të rifillojë çmontimin e reaktorit bërthamor në Jongbjon, tani që Shtetet e Bashkuara e hoqën qeverinë e Phenianit nga lista e shteteve që mbështesin terrorizmin.

Ministria e Jashtme e Koresë së Veriut mirëpriti sot vendimin amerikan dhe premtoi të lejojë inspektorët amerikanë dhe ata të Kombeve të Bashkuara që të verifikojnë punën për çmontimin e reaktorit.

Administrata e presidentit Bush tha se e hoqi Korenë e Veriut nga lista e shteteve që mbështesin terrorizmin sepse Pheniani ra dakord me të gjitha kërkesat e OKB-së për inspektimin.

Kryeministri i Japonisë, Taro Aso, tha se vendimii Uashingtonit nuk do të dëmtojë përpjekjet e Tokios për të marrë informacion rreth qytetarëve japonezë të rrëmbyer nga Koreja e Veriut në vitet 70-të dhe 80-të.

Japania kishte kërkuar që Koreja e Veriut të mbetej në listën e shteteve që mbështesin terrorizmin derisa të zgjidhej çështja e të rrëmbyerve japonezë.

Shtetet e Bashkuara e hoqën Korenë e Veriut nga lista e shteteve që mbështesin terrorizmin, në këmbim të një plani verifikimi që i lejon Shtetet e Bashkuara dhe vende të tjera pjesëmarrëse në bisedimet bërthamore të vëzhgojnë procesin e çarmatimit të vendit komunist.

Departamenti amerikan i Shtetit i bëri të njohura hollësitë e marrëveshjes të shtunën, pas një dite diskutimesh intensive mes SHBA-së dhe 5 vendeve të tjera të angazhuara në bisedime.

Zëdhënësi Shan Mekormek tha se Pheniani përmbushi të gjitha kërkesat e parashtruara nga Shtetet e Bashkuara lidhur me procesin e verifikimit të çarmatimit bërthamor të Koresë së Veriut. Sipas marrëveshjes së re, Koreja e Veriut do të lejojë vëzhgimin e pasurimit të plutonimumit dhe uraniumit dhe çdo aktivitet që ka të bëjë me përhapjen e armëve bërthamore.

Ekspertët e 6 vendeve të përfshirë në bisedimet për marrëveshjen dhe Agjencia Ndërkombëtare Bërthamore do të lejohen të marrin pjesë në aktivitetin e verifikimit. (ze)

XS
SM
MD
LG