Lidhje

Kandidati demokrat Obama kryeson në anketime


Kanditati republikan Xhon Mekein thotë se do të bëjë të gjitha përpjekjet për ta rikthyer në rol drejtues ekonominë amerikane, ndërsa anketat tregojnë se ai gëzon më pak mbështetje sesa rivali i tij demokrat Barak Obama, tre javë para zgjedhjeve.

Senatori Mekein tha sot në një miting në shtetin e Virxhinias se presidenti i ardhshëm do të duhet të marrë masa të menjëherëshme për t’u përballur me problemet ekonomike të vendit.

Ai tha se ka një plan që do t’i mbante taksat të ulëta, do të mbronte pensionet e punonjësve dhe do t’u krijonte lehtësi njerëzve të prekur nga pangopësia e Uoll Stritit dhe Uashingtonit.

Edhe senatori Obama po paraqet një plan për të ndihmuar amerikanët të përballojnë krizën ekonomike. Në një deklaratë të fushatës thuhet se senatori Obama do të publikojë një plan për klasën e mesme amerikane në Ohajo, një shtet kritik në fushatën zgjedhore.

Sipas një ankete, rezultatet e së cilës dolën sot, zoti Obama kryeson me katër pikë ndaj senatorit Mekein, ndërsa sipas një sondazhi tjetër ai ka një epërsi prej 10 pikësh. Zoti Mekein ka premtuar se do t’i kundërvihet fuqishëm zotit Obama në debatin e fundit televiziv të mërkurën. Kandidati republikan po intensifikon përpjekjet në shtetet kyçe me ndalesa sot në Virxhinia dhe Karolinën e Veriut. //rd//

XS
SM
MD
LG