Lidhje

Maqedonia e shqetësuar për përleshjet në Greqinë veriore


Maqedonia ka shprehur shqetësime të thella rreth përleshjeve të njoftura ndërmjet banorëve etnik maqedonas dhe forcave greke të sigurisë në Greqinë veriore.

Televizioni maqedonas tha sot se kryeministri Nikolla Gruevski do të njoftojë zyrtarët e Bashkimit Evropian në Bruksel rreth situatës. Njoftimi televiziv thoshte se një person ishte plagosur dhe katër të tjerë ishin ndaluar dje në Florina, pasi maqedonasit etnikë u munduan të pengonin ushtrinë greke që të zhvillonte manovra në atë rajon.

Autoritetet greke nuk kanë komentuar rreth incidentit.

Kombet e Bashkuara po negociojnë bisedimet mes vendeve fqinje për të zgjidhur mosmarrëveshjet rreth emrit të Maqedonisë.

Greqia po bllokon përpjekjet e Maqedonisë për tu anëtarësuar në NATO, duke thënë se së pari vendi duhet të ndryshojë emrin.

Një zonë në Greqinë veriore quhet gjithashtu Maqedoni dhe Athina thotë se ky emër nënkupton një pretendim territorial, akuzë që autoritetet maqedonase e hedhin poshtë.//rd//

XS
SM
MD
LG