Lidhje

Xhejms Hensën, ekspert i Nasës për klimën dhe ngrohjen globale


Dy dekada pasi u foli ligjvënësve mbi rreziqet e efektit serë dhe ngrohjes globale, një shkencëtar i njohur i klimës po e përsërit mesazhin e tij me një urgjencë edhe më të madhe. Drejtori i Institutit Goddard të Nasës, Xhejms Hensën e përsëriti thirrjen e tij në Klubin Kombëtar të Shtypit këtu në Uashington, ku atij iu bë një nderim i veçantë për faktin se dha alarmin për ndryshimet e klimës.

Shkencëtari i Nasës për ndryshimet klimatike, Xhejms Hensën, ishte i pari që njohu publikun me rreziqet e ndryshimeve klimatike. Ai e bëri këtë gjatë një seance dëgjimore në Kongresin amerikan, seancë e kryesuar nga senatori Tim Uirth.

“Më 1988, ai doli në krye të shkencëtarëve për të shpallur ndikimin e njerzimit në ngritjen e temperaturës së tokës. Ai luajti një rol udhëheqës të guximshëm, megjithëse i vetëm, dhe që prej atëhere nuk është ndalur asnjë sekondë”.

Në një konferencë këtu në Uashington duke kujtuar atë seancë të Kongresit, zoti Hensen tha se bota për një kohë të gjatë i ka tejkaluar nivelet e rrezikshme të gazrave të efektit serë në atmosferë.

“Kemi arritur pikën e një emergjence planetare. Dhe kjo sepse në sistemin klimatik ekzistojnë pika kulmore tek të cilat ne jemi afruar shumë dhe nëse i kalojmë, dinamikat e sistemit mund të ndryshojnë shumë. Kjo do të shkaktonte ndryshime shumë të mëdha klimatike, jashtë kontrollit tonë”.

Disa ekspertë nuk u kushtojnë rëndësi paralajmërimeve të ngrohjes globale dhe e kundërshtojnë idenë se sistemi klimatik po arrin një pikë kulmore. Stiv Sigëll është avokat, që përfaqëson interesat energjetike.

“Shumica e njerzve që punojnë në sektorin e ndryshimeve klimatike janë shumë më optimistë dhe mendojnë se ekzistojnë një sërë formash teknologjike, që do të zbatohen për të sbrapsur, ose të paktën për të zgjidhur pasojat e ngrohjes globale”.

Zoti Hensën bashkë me shkencëtarë të tjerë paralajmërojnë për pasoja katastrofike, si shtimi i stuhive të dhunshme, zhdukja e bimësisë apo e kafshëve, shkrirja e shtresave të akullit dhe

“Kemi arritur tashmë në një pikë kulmore dhe mund të humbasim të gjithë shtresën e akullit arktik në sezonin veror. Ne e dimë se do ta humbasim atë shtresë akulli sepse planeti ka humbur balancën e energjisë”.

Zoti Hensën thotë se akulli i Arktikut do të shkrijë plotësisht gjatë 5 deri 10 vjetëve të ardhshëm, por kjo mund të sbrapset nëse njerzimi pakëson djegjen e hidrokarbureve dhe gradualisht nxjerr jashtë përdorimit qymyrgurin, shkaku kryesor i gazeve që shkaktojnë efektin serë. //iç//

XS
SM
MD
LG