Lidhje

Udhëheqësit e BE-së, dakord për planin në ndihmë të sektorit financiar


Udhëheqësit evropianë i dhanë fund një takimit dy ditësh në Bruksel me një marrëveshje mbi mënyrat për të shpëtuar sistemin financiar evropian, megjithëse hasën në mosmarrëveshje në diskutimet për pakësimin e sasisë së gazeve të çliruara në atmosferë dhe në rifillimin e bisedimeve për marrëdhënie të posaçme me Rusinë.

Blloku me 27 anëtarë jo vetëm e mbështeti planin në ndihmë të sektorit financiar me vlerë prej miliarda dollarësh, gjatë bisedimeve 2 ditëshe, por bëri thirrje gjithashtu për një riorganizim më të thellë të sistemit financiar që solli këtë krizë.

Presidenti francez Nikola Sarkozi, i cili mban Presidencën e radhës të Bashkimit Evropian, do të zhvillojë të shtunën bisedime me Presidentin Bush në përpjekje për të organizuar nga fundi i vitit një takim të gjerë ndërkombëtar lidhur me krizën financiare. Në komentet pas takimit të Brukselit, zoti Sarkozi bëri gjithashtu thirrje për masa të përbashkëta evropiane për të zgjidhur krizën edhe më të rëndë ekonomike që kërcënon të pasojë problemet financiare.

Kriza ekonomike është fare pranë, tha zoti Sarkozi. Bashkimi Evropian ka dalë me një përgjigje të koordinuar ndaj krizës financiare dhe tani duhet t’i përgjigjet krizës ekonomike. Ai tha se blloku do të japë përgjigjen e tij nga fundi i vitit.

Por udhëheqësit e BE-së nuk ranë dakord për një tjetër çështje të rëndësishme – ngrohjen globale. Megjithëse mbetet i pandryshuar pikësynimi për të ulur 20 për qind çlirimin e gazeve që shkaktojnë efektin serrë brenda vitit 2020, vendet e Evropës Lindore kanë shprehur shqetësim për koston e një pikësynimi të tillë. Në komentet për shtyp, Ministri i Jashtëm polak Radoslav Sikoski paralajmëroi se Polonia mund të vinte veton:

"Do të bëjmë ç’është e mundur për ta shmangur veton, por duhet që së pari të ekzistojë një vullnet i mirë në përgjigje të problemeve reale që lidhen me disa degë të industrisë si dhe me miliona konsumatorë e me qarkullimin e shumave prej qindra miliarda eurosh në të gjithë Evropën. Duhet së pari të tregohet vullnet për t’u gjetur përgjigje këtyre shqetësimeve."

Udhëheqësit e BE-së patën gjithashtu përplasje kur u diskutua mundësia e rifillimit të bisedimeve me Moskën lidhur me një Marrëveshje Speciale Partneriteti dhe Bashkëpunimi që u pezullua, si rezultat i konfliktit Rusi-Gjeorgji. Kjo çështje do të diskutohet gjatë takimit të ardhshëm të nivelit të lartë mes Bashkimit Evropian dhe Rusisë. //ad//

XS
SM
MD
LG