Lidhje

Sezoni i ri i filmave në kinematë amerikane


Në kinematë amerikane nis sezoni i filmave të rinj. Nga sot nis shfaqjen filmi ”W” i regjizorit Oliver Stone, i cili ka portretizuar me nota kritike qeverisjen e presidentit Bush, dhe administratës së tij. Ndërkaq Madona, sot ka paraqitjen e parë si regjizore e një filmi të mirëfilltë artistik. Ndonëse divorci po e ngarkon jetën e yllit të muzikës pop, sërish Madona di të tregojë anët e saj të forta, duke iu përkushtuar artit dhe karrierës.

Filmi “W” nis nga sot shfaqjen në kinematë amerikane. Premiera e tij u zhvillua ditën e martë. Ky film, mban firmën e regjizorit Oliver Stone, dhe është një film për presidentin amerikan Xhorxh Bush. Aktorët të cilët interpretojnë familjen presidenciale dhe bashkëpunëtorët e tij janë Xhosh Brolin në rolin e presidentit Bush, Elizabet Banks, në rolin e Laura Bush, Xhejms Kromuell dhe Elen Bërstin si presidenti i parë Bush me gruan e tij Barbara, ndërsa Thandi Njuton interpreton Kondoliza Raijs. Stone ka realizuar një film kritik për qeverisjen e presidentit Bush, duke e shfaqur shpesh herë si apatik numrin 1 të SHBA. Por ai nuk ndalet me kaq. Në prononcimet e tij për median ai thotë se populli amerikan do të vazhdojë të paguaj me dejeda atë çka solli doktrina e presidentit Bush.

Ndërsa shumica e karaktereve kanë thuajse të njëjtin mesazh për filmin, Dreyfus, i cili interpreton Dik Çejnin, thotë se nëse filmi është një portretizim i saktë i presidentit, ai nuk mund të quhet një portretizim i saktë i periudhës kur ai ka qeverisur.

************

Madona sjell për shikuesin filmin e parë si regjizore. Ndërsa tashmë duket se janë kristalizuar zërat për divorcin e saj me Gai Riçin, ajo ka marrë pjesë në premierën filmit “Filth and Wisdom”, ditën e hënë në Nju Jork. I nisur fillimisht si dokumentar, filmi u konkretizua në një film artistik me metrazh të gjatë rreth 81 minuta, pasi mbretëresha e pop-it u dashurua me karakteret dhe vendosi që të realizojë një film të plotë.

Filmi flet për një emigrant ukrainas - interpretuar nga këngëtari i muzikës pank Eugen Hutz- , i cili aspiron që të bëhet muzikant i vërtetë. Viki Meklure interpreton Xhulietën, një farmaciste e cila ëndërron që të shkojë në Afrikë, ndërsa Holli Ueston interpreton një balerinë të pasuksesshme. Këto janë tre karakteret e filmit të cilët gërshetojnë dhe linjat e tij.

Filmi “Filth and the Wisdom” nis nga sot shfaqjen në kinematë amerikan, tre javë mbas filmit të Gai Riçit “ Rokanrolla”.

Ndonëse në një moment të vështirë për jetën e saj familjare, Madona thotë se këshillat e Riçit nuk i kanë munguar.

Në premierën e filmit morën pjesë dia prej emrave të njohur të ekranit, njëkohësisht mikesha të mbretëreshës së popit, si Bruk Shilds, Xhesika Alba, Lindsi Logan etj.

XS
SM
MD
LG