Lidhje

Vështirësitë e kreditimit të biznësit të vogël


Problemet që filluan në Uoll Strit po shtrihen tani më gjerë, ndërsa bizneset e vogla shohin se po shtrëngohen dhëniet e kredive. Shumë banka po tregohen të rezervuara në dhënien e huave derisa të jetë e qartë se kush do të marrë përgjegjësitë për huatë e këqia që ato mbartin. Shumë pronarë biznesesh të vogla po hasin në vështirësi në marrjen e huave për të financuar operacionet e tyre dhe janë të shqetësuar se konsumatorët mund të mos jenë në gjendje të blejnë produktet që ata prodhojnë.

Në mbarë Amerikën, bizneset e vogla po përballen me vështirësi kreditimi.

Në Hjuston të Teksasit, pronarja e dyqanit të dhuratave Linda Heckman po mbështetet tek kartat e kreditit për të mbajtur biznesin e saj, pasi kreditë nga banka është e vështirë të sigurohen. "Përdor kartat e mija të kreditit për të blerë mall për dyqanin dhe i paguaj faturat çdo 30 ditë. Nëse nuk do të isha në gjendje ta bëja këtë nuk do të kisha me se të blija mallrat".

Në Arlington të Teksasit, Roxher Bati kishte ditur mundësi të merrte hua në shuma të mëdha brenda pak ditësh për biznesin e shtypshkronjës. Por jo më, thotë ai.

"Tani shkoj tek e njëjta bankë. Iu duhen jo disa javë por disa muaj për të plotësuar formularët. Por deri atëherë më kanë ikur projektet nga duart".

Pronarët e bizneseve kanë nevojë për kredi për të financuar operacionet e tyre. Por ekspertët thonë se bankat dhe institucionet e tjera financiare janë aq të shqetësuara nga kreditë e këqija në tregje saqë druhen të japin para hua – edhe tek huamarrësit e besueshëm.

Edhe kur bizneset janë në gjendje të marrin kredi, ata shqetësohen nëse klientët e tyre mund të përballojnë blerjen e produkteve.

Në Diërborn, Miçigan, shitësi i makinave Xhei Sertz thotë se ky është mjedisi më i vështirë i biznesit që ai ka parë në gati 20 vjet. Disa nga bankat me të cilat Atertz ka bashkëpunuar, kanë ndalur dhënien e kredive për klientët e tyre. "Bankat janë të domosdoshme dhe kemi patur marrëdhënie të mira me to, por tani ato janë tërhequr në tre-katër muajt e fundit".

Departamenti amerikan i Tregtisë thotë se bizneset e vogla punësojnë rreth gjysmën e punonjësve të sektorit privat.

Ekspertët e financave thonë se nëse tregjet e kreditimit shtrëngohen më tej, bizneset e vogla do të fillojnë të pushojnë nga puna punonjësit e tyre.

Disa e kanë filluar këtë në Los Anxhelos, thotë pronari Liang Liang. Shumë nga dyqanet në ndërtesën e tij kanë falimentuar.

"Më parë kishte shumë klientë, tani nuk ka", thotë ai.

Kjo mund të shtojë papunësinë dhe ndoshta ta çojë ekonominë në recesion.

Alis Rivlin ka qenë drejtoreshë në zyrën e kongresit për buxhetin. Tani ajo është me Institutin Brukings në Uashington. "Ka pasiguri të madhe për momentin për kursin që do të marrë ekonomia në të ardhmen. Një gjë që dimë është se nëse nuk rivendosim rrjedhjen normale të kreditit, do të kemi një situatë edhe më të përkeqësuar".

Plani i shpëtimit i Uashingtonit është hartuar për të rivendosur besimin në tregjet financiare dhe për të lehtësuar kreditimin. Por bizneset e vogla besojnë se problemet e tyre nuk ka të ngjarë të përfundojnë tani shpejt. //rd//

XS
SM
MD
LG