Lidhje

Pesë vende zgjidhen si anëtare të ardhshme të Këshillit të Sigurimit


Austria, Japonia, Meksika, Turqia dhe Uganda kanë siguruar vende si anëtare jo-të përhershme në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. Ata do të fillojnë mandatin e tyre 2-vjeçar në janar.

Votimi, i cili u krye me vota të fshehta në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, përfshiu 7 kandidate për 5 vende bosh në Këshillin e Sigurimit. Të 192 vendet anëtare morën pjesë në votim. Kandidatët duhet të merrnin 128 vota, një shifër që përfaqëson 2 të tretat e votave, për të marrë një vend në Këshillin e Sigurimit.

Konkurenca më e fortë ishte për vendet ku konkuronin shtete të Evropës. Austria dhe Turqia mundën Islandën për 2 vendet e caktuara për rajonin. Ministri i Jashtëm turk Ali Babaçan tha se mbështetja e fortë që mori Turqia tregon besimin e komunitetit ndërkombëtar tek ky vend, i cili vazhdon negociatat për t’u antarësuar në Bashkimin Evropian. Ai tha se Turqia do të vazhdonte të punonte për të kontribuar ndaj paqes dhe sigurisë ndërkombëtare në rolin e saj të ri:

"Puna jonë do të përqendrohet kryesisht tek dialogu, diplomacia, zgjidhjet paqësore të konflikteve."

Kjo është hera e katërt që Turqia mban një vend në Këshillin e Sigurimit. Austria ka qenë 2 herë të tjera anëtare e Këshillit. Këtë vit Islanda konkurotne për të herë të parë. Sipas komenteve jo-publike të disa diplomatëve, shanset e Rekjavikut mund të jenë dëmtuar nga rënia e fundit e sektorit financiar.

Në konkurimin për vendin e hapur për rajonin aziatik, Japonia mundi Iranin me 158 vota pro kandidaturës së saj, përkundrejt 32 votave që mori Irani. Ambasadori britaniak John Sawers shprehet:

"Dua të theksoj se sa me vend është fakti që Irani mori vetëm 32 vota. Irani është bërë objekt i sanksioneve të Këshillit të Sigurimit si rezultat i programit të tij bërthamor. Humbja e tij në këtë votim është një sinjal i rëndësishëm i shqetësimeve të të gjitha vendeve anëtare për veprimet e Iranit."

Japonia është një shtet i fuqishëm në rajon dhe donatori i dytë më i madh për Kombet e Bashkuara. Ky vend shpreson të sigurojë në të ardhmen një vend si anëtar i përhershëm i Këshillit të Sigurimit, nëse ky organ reformohet dhe zgjerohet.

Në garën për vendet e rajonit afrikan, Amerikës Latine dhe Karaibeve, kandidatët konkuruan pa rivalë. Ambasadori i Ugandës, Francis Butagira tha se vendi i tij shpreson të bëhet një urë lidhëse mes fuqive të mëdha dhe vendeve të vogla për arritje kompromisi. Uganda ka kontribuuar me trupa për operacionet paqeruajtëse të OKB-së në Darfur dhe Somali. Ambasadori Butagira tha se problemet e kontinentit afrikan do të ishin përparësi kryesore në rendin e ditës për Ugandën:

"Duke pasur parasysh se pjesa më e madhe e konflikteve janë në kontinentin afrikan, shpresojmë të luajmë një rol aktiv për zgjidhjen e këtyre konflikteve dhe ruajtjen e paqes dhe qëndrueshmërisë ndërkombëtare."

Meksika, e cila ka qenë tre herë më parë anëtare e Këshillit të Sigurimit, konkuroi e vetme për vendin e caktuar për Amerikën Latine dhe Karaibet. Për të konkuruar për një vend në Këshillin e Sigurimit, mjafton që vendi që ushqen ambicje të deklarojë synimet e tij, nganjëherë, shumë vjet para konkurimit. Kriteret që merren parasysh janë shpërndarja e barabartë gjeografike e vendeve dhe kontributi i vendit kandidat për ruajtjen e paqes dhe sigurisë ndërkombëtare.

Këshilli i Sigurimit përbëhet nga 15 vende. Pesë nga këto vende janë anëtare të përhershme dhe kanë të drejtën e vetos; këtu përfshihen Shtetet e Bashkuara, Britania, Franca, Kina dhe Rusia. Aktualisht përveç vendeve anëtare të sapo-zgjedhur për Këshillin e Sigurimit, 5 vendet e tjera anëtare janë Burkina Faso, Kosta Rika, Kroacia, Libia dhe Vietnami. Pesë vendet e reja anëtare do të zëvendësojnë Belgjikën, Italinë, Panamanë dhe Afrikën e Jugut, të cilave u mbaron mandati 2-vjeçar në fund të këtij viti. //ad//

XS
SM
MD
LG