Lidhje

"Doruntina" në Nju Jork - një bashkëpunim shqiptaro-amerikan


Legjenda e Doruntinës, ose historia e Besës, e premtimit që nuk lejohet të shkelet, po shfaqet në një teatër të Nju Jorkut në formën e një drame moderne dhe një rrëfimi të pazakontë. Është bashkëpunimi i parë mes një kompanie teatrale amerikane – Blessed Unrest - dhe një trupe nga Kosova – Teatri Oda. Ata po përpiqen të përcjellin te shikuesit amerikanë mesazhin e fuqishëm të besës që vjen nga një botë njëkohësisht e largët dhe e afërt. Drama Doruntina debutoi më 9 tetor dhe do të vazhdojë të shfaqet deri më 26 të këtij muaji.

“Doruntina” është një bashkëpunim mes kompanisë teatrale Blessed Unrest në Manhattan dhe trupës së teatrit ODA në Kosovë. Janë 6 aktorë amerikanë dhe 4 shqiptarë që paraqesin në një mënyrë mjaft të veçantë dramën e Konstantinit dhe Doruntinës bazuar në romanin klasik të Ismail Kadaresë.

Këtu aktorët flasin dy gjuhë, kryesisht anglisht dhe më pak shqip por kjo nuk duket se përbën problem për shikuesin amerikan ose shqiptar.

Nuk është e rastit që dy trupat kanë zgjedhur një temë të tillë si besa, thotë bashkëregjisori shqiptar i Doruntinës, Florent Mehmeti:

"Besa është diçka karakteristike, unike dhe që ja vlen të ndahet edhe me kultura të tjera. Kjo na ka shtyrë dhe ka qenë edhe një motiv i fortë i yni, që në një kontekst bashkëkohor, në një kontekst teatror t’i qasemi një teme aq të fuqishme siç është besa, aq mirë e përshkruar nga Ismail kadareja në romanin e tij dhe në këtë mënyrë kjo t’i serviret publikut amerikan si diçka jo shumë e njohur për të."

Blessed Unrest është një teatër i përmasave të vogla, një alternativë ndaj shfaqjeve plot shkëlqim dhe shpenzime që jepen në Broduej. Regjisorët amerikanë të këtij teatri modest mendojnë se në botën e artit ka vend për të gjithë dhe sipas tyre, spektakleve që jepen në Broduej shpesh u mungojnë mesazhet e fuqishme. Bashkëregjisore amerikane e dramës është Jessica Burr:

“Ky është një koncept shumë jo-amerikan. Në Shtetet e Bashkuara nuk ekziston diçka e tillë si besa. Pra mendoj se është një koncept shumë i rëndësishëm që mund t’u përcillet amerikanëve.”

Dhe në rastin e Doruntinës ky koncept është përcjellë me imagjinatë dhe me një dinamikë interesante të skenës. Gjithçka është në lëvizje të vazhdueshme, një tallaz që herë gjëmon e pastaj qetësohet si vrulli ballkanik. Ngjarja nuk ka ndonjë kornizë kohe të përcaktuar qartë; e varur diku në hapësirë ajo të bën të reflektosh rreth imagjinares dhe së pamundurës. Aktorët, e veshur me rroba të thjeshta që sfidojnë kohrat i shprehin emocionet më tepër me gjuhën e trupit se sa me fjalë. Dhe, në fund të fundit, i gjithë ky kompleks plot lëvizje, klithma dhe tinguj formon një linjë të përgjithëshme që natyrshëm bëhet e kuptueshme për shikuesin.

“Është një stil i shfaqjes që ne i referohemi si shfaqje bashkëkohore, gjithçka krijohet mbi bazën e asaj që ne e quajmë magji e teatrit.”

Për të konceptuar dhe realizuar këtë shfaqje komplekse, bashkëpunimi mes dy trupave, njëra në Prishtinë dhe tjetra në Nju Jork, është bërë me magjinë e asaj që në gjuhën e sotme quhet Internet, shpjegon njëri nga skenaristët dhe aktorët, Lirak Çelaj:

"Meqë kostoja e udhëtimit dhe e qendrimit është shumë e madhe, shumicën e punës e kemi bërë me e-mail, me Internet, me skype. Ne fillonim punën në Prishtinë ndërsa këta këtu fillonin provat dhe pastaj komentonim."

Jessica Burr nuk e përmban gëzimin që edhe sonte teatri është plot me njerëz. Nuk ka dyshim, thotë ajo, bashkëpunimi me ODA-n do të vazhdojë.

"Na pëlqen shumë të punojmë së bashku. Duam ta shfaqim Doruntinën në Kosovë dhe në Shqipëri e ndoshta edhe në vende të tjera. Mendoj se vazhdimi i bashkëpunimit do të ishte diçka e mrekullueshme."

Drejtuesit e dy trupave shpresojnë që të tërheqin më shumë amerikanë në shfaqjet e tyre. Mbrëmjen kur filmuam këtë kronikë, të 50 vendet ishin të zëna dhe loja e aktorëve u prit mjaft mirë. Rreth 70% e shikuesve ishin shqiptarë. //ii

XS
SM
MD
LG