Lidhje

Presidenti Bush takohet me udhëheqës europianë për krizën


Presidenti Bush takohet sot me Presidentin e Francës Nikola Sarkozi dhe me Presidentin e Komisionit Europian, Zhoze Manuel Barroso për bisedime mbi krizën ekonomike botërore.

Udhëheqësit europianë thonë se do të ngulin këmbë për një riorganizim të sistemit financiar global gjatë bisedimeve që do të kenë në Kemp Dejvid pranë Uashingtonit.

Ata pritet të diskutojnë mbi një propozim për mbajtjen e një takimi ekonomik të nivelit të lartë me udhëheqësit e Grupit të Tetëshes dhe të vendeve të tjera.

Ndërtimi i shtëpive të reja ra më shumë se 6 përqind në shtator, rënia më e madhe në 17 vjet.

Ra gjithashtu numri i lejeve të ndërtimit, duke shtuar shqetësimet në Uoll Strit dhe kudo në botë se ekonomia amerikane po tkurret.

Agjenti i bursës Mark Henson thotë se këto janë kohë të vështira.

"Në një gjendje të tillë duhet të na shqetësojë e ardhmja e ekonomisë. Po shkojmë me sa duket drejt një recesioni dhe kjo nuk do të jetë diçka e mirë për askënd."

Raportet e fundit ekonomike tregojnë se kemi hyrë tashmë në kohë të vështira. Papunësia ka arritur nivelin më të lartë në 7 vjet, pagat nuk janë indeksuar me inflacionin dhe prodhimi industrial ka rënë.

Nga ana tjetër, thonë analistët, tregu i paralizuar i kredive, një faktor i rëndësishëm i krizës financiare ka filluar të lëvizë.

Dje, duke folur në Dhomën Amerikane të tregtisë, Presidenti Bush tha se kishte besim se me kohë, masat e fundit të qeverisë për të injektuar para në tregjet financiare do të japin rezultate.

"U desh një farë kohe që sistemi i kredive të paralizohej dhe prandaj do të duhet një farë kohe që ai të zhbllokohet. Këto janë masa vendimtare që godasin në thelbin e sfidave tona financiare. Këto janë masa mjaft të guximshme prandaj do të kenë sukses. Amerikanët duhet të kenë besim se ato do të japin rezultat."

Por amerikanët nuk kanë besim. Shpenzimet e konsumit kanë rënë në nivelin më të ulët në tre vjet. Një pjesë madje besojnë se paketa e shpëtimit financiar prej 700 miliard dollarësh do ta zhysë vendin më thellë në borxh.

Por presidenti tha se nëse qeveria nuk do të kishte vepruar, gjendja e sistemit financiar do të kishte qenë më e vështirë.

XS
SM
MD
LG