Lidhje

Shtëpia e Heminguejit në Ki Uest ngjall interesin e vizitorëve

  • Tang XiMing

Shkrimtari i shquar amerikan Ernest Heminguei e quajti Ki Uestin, ishullin në jug të Floridas, shtëpinë e tij për gati një dekadë. Sot shtëpia e tij është muze dhe pikë historike kombëtare.

Shtëpia në rrugën Uajt-hed në Ki Uest ishte e Ernest Hemingueit gjatë viteve 1930. Xho Benxhamin është ciceroni i shtëpisë muze.

"Heminguei erdhi në këtë qytet kur ishte 31 vjeç dhe e bleu këtë shtëpi për 8 mijë dollarë. Kjo ishte shumë e madhe në ato vite." thotë ai

Në atë kohë Amerika po kalonte Depresionin e Madh, krizën ekonomike që e goditi rëndë Ki Uestin. Banorët vendas dhe karakteret u skicuan në novelën e tij “To Have and Have Not” që flet për Ki Uestin gjatë asaj periudhe.

Në vitet 1930, gjysma e 12 mijë banorëve ishin larguar nga qyteti. Nuk kishte punë, plehrat ishin kudo nëpër rrugë, ishte një periudhë e tmerrshme në historinë e qytetit. Dhe pikërisht atëherë mbërriti Heminguei. Ai erdhi këtu jo vetëm për të shkruar por edhe për të peshkuar. Këto ishin dy arsyet kryesore që ai erdhi në Ki Uest.

Stili i Hemingueit ndihet kudo në shtëpi. Një model i anijes së tij të çmuar të peshkimit Pilar është vendosur në dhomën e ndenjes. Udhëtimet e tij të shpeshta të peshkimit shpesh përfundonin në kuzhinën që gruaja e Hemingueit, Polin e kishte ndërtuar veçanërisht për të.

Gjuetia ishte një nga pasionet e tjera të Hemingueit. Por zoti Benxhamin shpjegon se jo të gjitha trofetë e vendosura në mur ishin gjahu i tij.

Breuster Çamberlin, një ekspert i Hemingueit në Muzeun e Arteve dhe Historisë në Ki Uest thotë se shumë nga punët më të famshme të Hemingueit u krijuan në studion e shkrimtarit.

"Ai shkruajti shumë këtu. Shkruajti librin e luftës me demin Death in the Afternoon, shkruajti disa histori të shkurtra të mrekullueshme, The Short Happy Life of Francis Macomber, The Snows of Kilimanjaro, Green Hills of Africa. Ai filloi këtu të shkruaj For Whom the Bell Tolls, por pjesën më të madhe të këtij libri e shkruajti në Kubë." - thotë ai

Benjamin thotë se një lidhje e dukshme e jetës së Hemingueit në këtë shtëpi janë 60 macet që jetojnë atje sot, trashëgimtaret e maceve të Hemingueit ku përfshihej edhe një maçok me gjashtë gishta.

Njerëzit vijnë nga e gjithë bota për të vizituar shtëpinë e Hemingueit dhe jo të gjithë e njohin mirë shkrimtarin por atyre iu pëlqejnë macet. Kështu që shumë nga ata vijnë këtu vetëm për macet.

Heminguei i donte shumë macet e tij. Ai ndërtoi një curilë të veçantë uji. Dekada më vonë ai është ende në përdorim, një monument i sensit të humorit të Hemingueit dhe jetës së tij në Ki Uest. //mm//


XS
SM
MD
LG