Lidhje

Shqetesimet për ekonominë nxisin votuesit në shtetet kyçe


Ekonomia është bërë shqetësimi kryesor i votuesve për në zgjedhjet e ardhshme presidenciale në Shtetet e Bashkuara. Shteti i Floridas mund të luajë një rol të rëndësishëm në këto zgjedhje. Ky shtet është goditur rëndë nga kriza e shtëpive dhe një anketë e re tregon se gati 70 përqind e votuesve e shohin ekonominë si një nga çështjet më të rëndësishme të fushatës. Florida ka një nga nivelet më të larta të mospagimit të huave në banka, dhe mund të përcaktojë rezultatet e zgjedhjeve të nëntorit.

Temi Graham shet shtëpi në qytetin Lakeland të Florida. Sekserja thotë se shumë njerëz që blenë shtëpi vitet e fundit përdorën huatë favorizuese dhe tani përballen me humbjen e shtëpisë.

"Kam biseduar me njerëz që më thonë – nuk po ushqej dot fëmijët. A duhet të mos paguaj më huanë? Kjo është një situatë për të ardhur keq".

Graham thotë se në këto zgjedhje ajo po i kushton më shumë vëmendje planeve të kandidatëve presidencialë për ekonominë. Ajo thotë se shumë njerëz të tjerë ndjejnë të njëjtën gjë këtu, në këtë zonë të goditur të goditur rëndë nga kriza e shtëpive pranë superstradës I-4 që lidh qytetet e Orlandos dhe Tampas.

Më në jug, ndërsa ndërtesat e banimit kapin qiellin në Majami, shumë prej tyre janë bosh që nga kriza e shtëpive.

Anketuesi i pavarur Xhim Kejn, profesor në universitetin e Floridës, thotë se problemet e fundit në tregjet financiare po shtojnë shqetësimet e votuesve.

"Kjo situatë po i bën votuesit edhe më nervozë. Kjo do t’i bëjë njerëzit të votojnë", thotë zoti Kejn.

Disa nga ata që kërkojnë punë në zyra e punës në Lejklend thonë se po i ndjekin më me interes këto zgjedhje për shkak të ekonomisë. Lori Filips së fundmi humbi punën e saj si dizenjatore.

"Më duhet të pranoj se asnjëherë nuk i kam kushtuar rëndësi fushatave më parë. Kështu që këtë vit, po shikoj si republikanët ashtu edhe demokratët. Ndikim të madh në votën time do të ketë situata ekonomike".

Të dy kandidatët presidencialë kanë qënë në Florida për të folur për ekonominë. Anketimet e fundit tregojnë se demokrati Barak Obama ka një epërsi të vogël ndaj republikanit Mekein në këtë shtet.

J.P. Sasser punon në një ofiçinë në qytezën Pahokee. Ai ka shërbyer si kryetar i bashkisë së këtij qyteti dhe është republikan. Por Sasser thotë se pas tetë vjetësh me një president republikan, ai do të votojë tani për Obamën.

"Edhe pse të gjithë thonë se ai nuk ka përvojë, ja ku na solli përvoja e atyre që janë në Uashington. Mendoj se Uoll Striti po ndikon që Obama të zgjidhet president".

Por Mark Howard nga revista e biznesit, Florida trend, nuk është i sigurtë. Ai nuk beson se votuesit fajësojnë republikanin Mekein për gjendjen e tanishme ekonomike në Florida.

"Mendoj se njerëzit po kërkojnë të shohin se cili kandidat do të dalë me ide që t’i bëjë ata të njejnë një përqasje, apo përgjigje më të mirë ndaj kushteve ekonomike".

Këto kushte, të kombinuara me lëkundjet e tregjeve financiare ditët e fundit, i ka bërë shumë votues të kërkojnë përgjigje. Të dy fushatat presidenciale në Florida presin që ekonomia t’i bëjë njerëzit të votojnë në numra rekord në këto zgjedhje.//rd//

XS
SM
MD
LG