Lidhje

Bernanke, një përpjekje tjetër për stimulimin e ekonomisë


Zyrtarë të lartë në Uashington mund të ndërmarrin një përpjekje tjetër për të stimuluar ekonominë amerikane, duke shtuar shpenzimet qeveritare.

Kreu i Bankës Qendrore amerikane, Ben Bernanke tha sot para komisionit të Dhomës së Përfaqësuesve për Buxhetin se ekonomia amerikane mund të kalojë një periudhë të zgjatur ngadalësimi dhe marrja e masave efikase mund t’i zbuste pasojat. Në raportimin e sotëm, ai sugjeroi që masat të parashikohen në mënyrë të tillë që t’i japin shtysë tregut të kredive, por nuk dha hollësi të mëtejshme.

Problemet në tregun e shitblerjes së shtëpive dhe bllokimi i tregut të kredive shkaktuan krizën aktuale financiare. Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë thotë se Presidenti Bush është i hapur ndaj idesë për një paketë stimujsh, por mbështetja e tij do të varet nga hollësitë e çfarodolloj plani të dalë nga Kongresi.

Vlera e aksioneve në tregjet aziatike dhe evropiane u rrit sot në këmbimet me investitorët dhe huadhënësit, mesa duket të inkurajuar nga ideja e stimujve dhe përpjekje të tjera për forcimin e sistemit financiar. Vlera e aksioneve amerikane ishte gjithashtu më e lartë në mesditë.



XS
SM
MD
LG