Lidhje

"Kolegji elektoral" dhe zgjedhja e presidentit në Amerikë


Megjithëse amerikanët votojnë në zgjedhjet presidenciale më 4 nëntor, votat e tyre nuk janë ato që zgjedhin presidentin e Shteteve të Bashkuara. Në fakt zgjedhja e presidentit bëhet nga i ashtuquajturi Kolegj Elektoral.

Në mbrëmjen e ditës së zgjedhjeve, votuesit në gjithë Shtetet e Bashkuara do të përqendrohen në hartat kuq e blu të shteteve, ndërkohë që numërohen votat popullore për kandidatët demokratë dhe republikanë për president.

Por i vetmi numër që i siguron njerit prej tyre Shtëpinë e Bardhë është 270. Në 15 dhjetor, 538 votues të quajtur elektorë, do të mblidhen në 50 shtete dhe në Distriktin e Kolumbias për të votuar.

Dhe ky është pikërisht Kolegji Elektoral që është sanksionuar me Kushtetutën amerikane për të zgjedhur presidentin. Profesor Kurtis Gans i Universitetit Amerikan shpjegon se si përcaktohet numti i elektorëve.

"Numri i këtyre elektorëve është i barabartë me numrin e përfaqësuesve nga çdo shtet në Senat dhe në Dhomën e Përfaqësuesve. Ata zgjidhen në bazë të rregullit se kush fiton shumicën merr të gjitha votat”.

Dy shtete bëjnë përjashtim nga rregulli “fituesi i merr të gjitha votat”, Nebraska dhe Mein. Ata i caktojnë elektorët në proporcion me votat popullore. Profesori i Universitetit Xhorxh Uashington, Denis Xhonson, thotë se partitë Demokrate dhe Republikane synojnë që të fitojnë shumicën e 538 votave të Kolegjit Elektoral

"Kur mendon për strategjinë e zgjedhjeve, numri më i rëndësishëm është 270. Dhe ky është numri i elektorëve që i siguron njërit prej kandidatëve presidencën.Është shuma e votave nga disa shtete të ndryshme që përbën numrim magjik 270".

Por strategjitë e kandidatëve për të fituar në shtete të caktuara janë të ndryshme, shpjegon profesori Gans.

“Çdo kandidat në këtë vend të polarizuar, në këto momente, fillon me ato shtete që mendon se e ka fitoren të sigurt dhe me ato që e di se nuk do të fitojë”.

Mes këtyre janë shtetet që konsiden të paparashikuar, që mund të përfundojnë në anën e secilit prej kandidatëve. Dhe janë pikërisht këto shtete ku demokratët dhe republikanët përqendrojnë përpjekjet e tyre më të mëdha. Strategu i marketingut të demokratëve, Peter Fenn, shpjegon:

"Kandidatëve u duhet të bëjnë zgjedhje të vështira për të përcaktuar se ku do të bëjnë fushatë, pra ku duhet t’i shpenzojnë burimet e tyre financiare, ku duhen përqendruar përpjekjet për të fituar ato 51 përqind të votave në çdo shtet për të siguruar fitoren përfundimtare”.

Shtete e paparashikuar janë kthyer shpesh në skena dramash kombëtare. Kështu ndodhi në vitin 2000 në gatën mes demokratit Al Gore dhe republikanit Xhorxh Bush. Gor kishte fituar me rreth gjysmë milion vota popullore më shumë. Por 25 votat e Floridës i dhanë fitoren Xhorxh Bushit me 271 vota kundrejt Al Gorit me 266.

Të dy partitë janë tejet të mbërthyera në mëndësinë e Kolegjit Elektoral, saqë nuk pritet që ky sistem të ndryshojë dhe zgjedhja e presidentit të bëhet me proporcional apo me vota të drejtpërdrejta. //iç//

XS
SM
MD
LG