Lidhje

Pauëll: Senatori Barak Obama  figurë transformuese


Disa analistë argumentojnë se mbështetja e ish Sekretarit amerikan të Shtetit për kandidatin presidencial Barak Obama mund të shuaj shqetësimet rreth përvojës së senatorit demokrat. Materiali në vazhdim shpjegon disa arsye përse vota e besimit të zotit Powell mund të ketë rëndësi.

Në programin televiziv Meet the Press, Kollin Pauëll e quajti senatorin Barak Obama një figurë transformuese.

“Kam arritur në përfundimin se nisur nga aftësitë e tij për të frymëzuar, nga natyra gjithëpërfshirëse e fushatës së tij, nga aftësia për të gjallëruar mbarë Amerikën, aftësitë e tij për retorikë, ai ka stilin dhe substancën, ai përmbush standartet për të qënë një president i suksesshëm, për të qënë një president i jashtëzakonshëm”.

Zoti Pauëll është republikan i cili ka shërbyer si Shef i Shtabit të Shtatëmadhorisë dhe drejtoi luftën e vitit 1991 kundër Irakut nën presidentin Xhorxh H. W. Bush. Ai ishte Sekretar i Shtetit gjatë mandatit të parë të presidentit të tanishëm Xhorxh W. Bush.

Ai thuhet se kishte rezerva rreth pushtimit të vitit 2003 të Irakut. Megjithatë ai paraqiti para Këshillit të Sigurimit arsyet e administratës amerikane për të shkuar në luftë. Analistët thonë se shumë nga mbështetjet kanë pak ndikim në garën presidenciale. Por Stivën Hes, ekspert në Institutin Brukings thotë se mbështetja e zotit Pauëll mund ta ndihmojë Obamën.

“Kollin Pauëll është një amerikan shumë i rëndësishëm, i shquar dhe shumë i respektuar”.

Zoti Hes thotë se zoti Obama konsiderohet nga shumë si pa përvojë, ndërsa kundërshtari i tij, senatori Xhon Mekein ka shumë përvojë në politikën e jashtme. Zoti Hes argumenton se mbështetja e zotit Pauëll mund të zbusë shqetësimet mes votuesve republikanë të moderuar apo të pavarurve rreth aftësive të zotit Obama.

"Një mbështetje si kjo, edhe pse mund të ndryshojë mendjen e pak votuesve, është një moment konfirmues. Këta mund të jenë të pavarur apo republikanë të moderuar që sidoqoftë do të votonin ndoshta për zotin Obama, por që ky moment iu jep atyre sigurinë e nevojshme".

Zoti Mekein minimizoi ndikimin e mbështetjes së zotit Powell.

"Ne kemi mosmarrëveshje dhe mendoj se populli amerikan do t’i kushtojë një vëmendje më të madhe mesazhit tonë për të ardhmen dhe për ta mbajtur Amerikën të sigurtë".

Anketat e fundit të opinionit publik tregojnë se zoti Obama kryeson ndaj zotit Mekein me gati 5 përqind. //iç//

XS
SM
MD
LG