Lidhje

Gjeorgjianët kthehen në fshatrat e tyre të shkatërruara


Lufta mes Gjeorgjisë dhe Rusisë në fillim të muajit gusht, detyroi më shumë se 130 mijë gjeorgjianë të lagoheshin nga shtëpitë e tyre për shkak të bombardimeve, të shtënave me artileri dhe plaçkitjeve. Sot, dy muaj më pas, shumica e tyre kanë mundur të kthehen, por disa dhjetra mirja ende jetojnë në strehime të përkohëshme ose me të afërmit, sepse nuk mund të kthehen në shtëpitë e tyre. Ja historia e disa prej këtyre refugjatëve që ndodhen në qytetin gjeorgjian Gori.

Kjo dhomë e një kopshti fëmijësh është kthyer tani në shtëpi, të paktën përkohësisht. Këta njerëz u larguan nga shtëpitë e tyre për shkak të dhunës në muajin gusht, bombardimit, të shtënave, plaçkitjes dhe djegijes së shtëpive dhe fshatrave.

Elene Khaduri, kjo grua 69-vjeçare nga fshati Kurta i Osetisë së Jugut, tregon se si iu desh të largohej sëbashku me njerëz të tjerë të moshuar.

"Të gjitha fshatrat e Gjeorgjisë në Osetinë e Jugut u shkatërruan nga zjarret. Prandaj dhe na u desh të iknim. Një çift më i moshuar më kërkoi që t’i merrja me vete, me ne erdhi edhe një burrë 63-vjeçar. Ne ikëm duke u fshehur nëpër pyll, ku edhe fjetëm kur ra nata”.

Ajo tregon për udhëtimin e saj nëpër rrugë të pashkelura nëpër fshatra, fusha dhe bahçe të djegura, për t’iu shmangur forcave të armatosura. Elena thotë se grupi më në fund arriti në një zonë neutrale, gjeti strehim dhe më në fund u shpëtua nga një i afërm i ri i familjes.

"Ditën e 15-të ai erdhi me taksi, na mori të gjithëve dhe na solli në këtë strehim, duke ngarë përmes disa fshatrave. Ja pra, kështu erdhëm këtu”.

Kjo është një prej shumë historive këtu në Gjeorgji. Mbi 130 mijë banorë u larguan për shkak të luftimeve mes forcave gjeorgjiane dhe trupave ruse e aleatëve të tyre separatistë në rajonin e Osetisë së Jugut. Rusët mundën me shpejtësi ushtrinë gjeorgjiane dhe hynë në thellësi të teritorit të vendit, duke krijuar të vetquajturat zona mbrojtëse përreth Osetisë së Jugut dhe Abkazisë, enklavës tjetër separatiste të Gjeorgjisë në veriperëndim.

Njerëzit u larguan nga rajonet dhe shkuan për të banuar me të afërmit dhe në strehime. Rusët janë larguar tashmë nga zonat mbrojtëse. Stefano Berti, i cili drejton zyrën e Gorit të agjencisë së OKB-së për refugjatët, thotë se përparësia kryesore tani është kthimi i njerëzve në shtëpitë e tyre.

"Qeveria dhe organizatat ndërkombëtare kanë filluar projekte rehabilitimi dhe rindërtimi në zonat e sigurta dhe shpresojmë se nevojat e tyre do të plotësohen para ardhjes së dimrit”.

Gjeorgjianët po kthehen në shtëpitë e tyre, por shpesh në shtëpitë e tyre të shkatërruara. Ata thonë se kanë nevojë për ndihmë që t’i rindërtojnë ato.

Por ende nuk janë kthyer 30 mijë prej tyre. Por për këto gra kthimi në shtëpitë e tyre nuk është më opcion. Shumica e tyre vinë nga fshatrat e Osetisë së Jugut, që janë nën kontrollin e trupave ruse dhe separatistëve që kanë shpallur pavarësinë nga Gjeorgjia.

Zizilo Terushvili thotë se ka dëgjuar nga fqinjët në Osetinë e Jugut se shtëpia e saj u dogj vetëm një ditë më parë. Ajo ka dëgjuar gjithashtu se këshilli lokal ka lëshuar një ultimatum për kthimin e banorëve.

"Në ultimatum thuhet se kushdo që ka jetuar këtu, mund të kthehet, por duhet të dorëzojë pasaportën gjeorgjiane dhe të marrë pasaportë ruse”.

Gratë janë tejet të irrituara, “përse duhet ta bëjmë një gjë të tillë”, thonë ato, “ne jemi gjeorgjiane, Osetia e Jugut është vendi ynë”.

Por tani për tani, kjo është shtëpia e tyre, Kopshti Nr. 12 në qendër të Gorit. Ato kanë strehim, veshje dhe ushqim dhe përpiqen të bëjnë një jete normale. Por kthimi në shtëpitë e tyre u duket si një ëndërr e largët.

"Nuk e di se çfarë do të bëjë qeveria. Ndoshta ajo nuk do të na lërë nëpër rrugë”.

Tani për tani ato vetëm presin dhe shpresojnë. //iç//

XS
SM
MD
LG