Lidhje

Mijëra njujorkezë të prekur ndjeshëm nga kriza financiare


Megjithëse indeksi Dou Xhons ka filluar të ngrihet këtë javë, mijëra njujorkezë kanë humbur punën gjatë muajve të fundit të krizës financiare. Ndërkohë që firmat e mëdha financiare kanë rënë njëra pas tjetrës apo janë blerë nga firma të tjera, edhe burimi i taksave të qytetit dhe industria e shërbimeve, që varen nga pagat e larta të sektorit financiar dhe që përbëjnë një të tretën e të gjitha rrogave në qytet, gjithashtu kanë rënë. Nju Jorku po përballet me pasoja të mëtejshme të krizës financiare. Korrespondentja e Zërit të Amerikës Karolin Uivër bisedoi me disa njujorkezë rreth gjendjes së rënduar të qytetit dhe çfarë pritet në të ardhmen.

Në sipërfaqe gjithçka duket njëlloj. Taksitë e verdha mbushin rrugët e Manhatanit. Autobusët dhe metrotë vazhdojnë punën. Dhe dritat e Tajms Skuerit vazhdojnë të ndriçojnë. Në qytet, turistët ende bëjnë fotografi pranë statujës së një bualli, simbol i mirëqenies së Uoll Stritit. Megjithatë, njujorkezët nga të gjitha fushat e jetës thonë se janë në pnjë gjedje pasigurie.

“Të gjithë rrijnë në qetësi, duke pritur – ekziston një ndjenjë pritjeje dhe paqartësie”.

Profesorja e pasurive të patundshme, Rosmari Skenlon, vë në dukje se çdo vend pune në Uoll Strit mbante të paktën tre vende të tjera pune në industri të tjera.

“Kjo ndjehet menjëherë tek restorantet, në qytet shoferët e taksive dhe limuzinave do ta ndjejnë ndikimin”.

Shoferi Hose Abrë thotë se tashmë e ka të vështirë të gjejë klientë.

“Kur del në rrugë e sheh që karburanti është shumë i shtrenjtë dhe nuk ka para”.

Ai thotë se shqetësohet se nuk di si do t’i paguajë universitetet e fëmijëve. Në anën tjetër të Lumit Lindor, menaxheri i aksioneve Patrik D’Anxhelo pajtohet se njerëzit janë në ankth.

“Jemi në krizë dhe tani duhet të shmangim depresionin”.

Zoti D’Angelo thotë se megjithëse recesioni do të ishte i rëndë, prapë ai mund të menaxhohet.

“Depresioni më frikëson, dhe ne po përballemi vërtet me faktin që mund të ndodhë. Asnjëri nga ne nuk mund të bëjë gjë dhe depresioni zgjat shumë më tepër sesa recesioni”.

Traineri i gjimnastikës Isaja Trujman punon me shumë tregëtarë dhe bankierë të Uoll Stritit në një palestër të Manhatanit.

“Shumë prej tyre më kanë thënë se kjo është gjendja më e rëndë që ata kanë parë gjatë jetës së tyre dhe se do të keqësohet edhe më tepër para se të përmirësohet. Njeriu i zakonshëm nuk e di fare se çfarë do të ndodhë në të ardhmen”.

“Më duket sikur nuk kanë asnjë ide dhe po pëpiqen të shohin dita ditës se çfarë do bëhet. Më duket se shumica e njerëzve nuk e dinë se ç’po ndodh”.

“Unë ndjek vazhdimisht programet e lajmeve, por as ato nuk të japin ndonjë ide se çfarë do të ndodhë”.

Saudia Dejvis është pronare e një kompanie pastrimi në Bruklin, e cila po i humb klientët që nuk arrijnë të paguajnë më për pastrimin e shtëpive të tyre.

“Ne kemi parë shumë njerëz që punonin në Uoll Strit dhe që tani po kërkojnë punë. Ata janë të gatshëm madje edhe të pastrojnë”.

Remsi Shajber është një nga personat me fat që vazhdon të ketë një punë të mirë në bankë me një pagë të mjaftueshme për të mbajtur familjen e tij në pjesën e sipërme lindore të Manhatanit. Megjithatë, ai thotë se të gjithë ndjehen të pasigurt në këtë industri dhe ende janë në vorbullën e krizës financiare.

“Çdo ditë kur shkon në punë mendon se cili nga institucionet do të shkatërrohet sot, nëse kjo do të ndodhë. Prandaj, vazhdon kjo periudhë dhe ky mosbesim ku nuk dihet se çdo të ndodhë më pas”.

Zoti Shajber thotë se ai dhe gruaja e tij janë përpjekur të bëjnë një plan të dytë. Por ata nuk duan të largohen nga Nju Jorku, për të cilin ai thotë se vetëm një ecje mes vendeve ikonike dhe njerëzve nga e gjithë bota ta heq zymtësinë.

Pavarësisht nga kohët e vështira apo shkurtimet e ardhshme të buxhetit, udhëheqësit e qytetit premtojnë se ruajtja e rrugëve të bukura dhe të sigurta të qytetit do të mbetet përparësi. //iç//

XS
SM
MD
LG