Lidhje

Marrëveshje SHBA-EU për pjesëmarrjen amerikane në misionin EULEX


Shtetet e Bashkuara nënshkruan sot një marrëveshje për të marrë pjesë në misionin e Bashkimit Evropian në Kosovë. Një zyrtar i lartë i Departamentit amerikan të Shtetit tha se pjesëmarrja e Shteteve të Bashkuara në misionin e EULEX-it, në Kosovë është e para në një projekt të tillë, që shënon edhe përparimin e marrëdhënieve mes Shteteve të Bashkuara dhe Evropës.



Në bazë të marrëveshjes të nënshkruar sot në Bruksel, Uashingtoni do të dërgojë 88 policë, gjykatës dhe prokurorë në misonin e EULEX-it në Kosovë.Qëllimi i këtij misioni është trejnimi i policëve dhe mbikqyrja e punës së gjyqësorit.Ndihmës sekretari amerikan i Shtetit, Daniel Frid, tha sot në Bruksel, se ajo tregon se marrëdhëniet trans-atlantike po japin rezultate konkrete:

“Marrëveshja vë në dukje dëshirën e përbashkët të Evropës dhe Amerikës për të punur sëbashku në mbështetje të zhvillimeve në Kosovë.Dislokimi i EULEX-it në gjithë Kosovën do të jetë një element kritik për pavarësinë e mbikqyrur të shtetit dhe do t’u shërbejë të gjithë qytetarëve të saj, stabilitetit të Kosovës dhe gjithë rajonit”.

Shtetet e Bashkuara, tha zoti Frid, mbështesin përparimin që ka bërë Kosova në ngritjen e një shteti të qendrueshëm, demokratik, të orientuar drejt Evropës dhe shumëetnik, që ka hedhur themelet e begatisë dhe të ardhmes evropiane për të gjithë banorët e Kosovës.

51 vende e kanë njohur deri tani pavarësinë e Kosovës, përfshirë tre të katërtat e vendeve të Bashkimit Evropian dhe NATO-s, të shtatë vendet më të industrializuara, që përbëjnë 25 përqind të vendeve anëtare të Kombeve të Bashkura.Kjo përbën një angazhim të përbashkët ndërkombëtar për stabilitetin në Kosovë dhe në Ballkan, tha zoti Frid.Shtetet e Bashkuara mbështesin të ardhmen europiane të Serbisë, tha më tej ai, “ne kemi mosmarrëveshje me Serbinë për Kosovën, por ne jemi dakord se Serbia meriton një të ardhme evropiane”.

Ndihmës sekretari amerikan i Shtetit, Daniel Frid, parashikoi se administrata e re amerikane që do të zgjidhet muajin e ardhëshëm do të vazhdojë ta ketë Evropën një nga përparësitë e saj kryesore të politikës së jashtme.//iç//

XS
SM
MD
LG