Lidhje

Ekonomistët analizojnë rënien në tregun e shtëpive


Ekonomistë të njohur amerikanë që morën pjesë në një konferencë në Uashington, parashikuan një rënie të mëtejshme të çmimeve të shtëpive në Shtetet e Bashkuara. Çmimet janë aktualisht 20 për qind më të ulëta se niveli rekord që arritën në vitin 2006. Mospagimi i kredive të shtëpive, që filloi të ndjehej që në gusht 2007 ka sjellë si rezultat një ngrirje të tregut të kreditimit në shkallë botërore:

Mark Zandi i cili punon për faqen elektronike të parashikimeve ekonomike Moody.s Economy.com thotë se çmimet e shtëpive në Shtetet e Bashkuara nuk ka gjasa të shënojnë ngritje deri nga mesi i vitit 2009. Bumi i tregut të shtëpive dhe më pas rënia e këtij tregu janë regjistruar si luhatjet më ekstreme në 60 vjet. Pjesërisht si rezultat i normave të ulëta të interesit bankar, çmimet e shtëpive në shumë pjesë të vendit shënuan rritje marramendëse dhe nga viti 2000 deri në vitin 2005 thuajse u dyfishuan. Që nga ajo kohë, shpjegon ekonomisti Zandi, këto çmime kanë njohur rënie të vazhdueshme:

"Pra prej një periudhe prej 2 vjetësh e gjysmë çmimet po bien. Tani ato kanë arritur nivelin e vitit 2004. Kushdo që bleu shtëpi pas vitit 2004 dhe nuk pagoi ndonjë shumë të madhe si këst fillestar tani ka një borxh më të madh se ka vlerë shtëpia."

Zoti Zandi thotë se shtetëzimi në shtator i dy kompanive që mbështesnin kreditë e shtëpive, Fannie Mae dhe Freddie Mac dhe falimentimi i bankës së investimeve Lehman Brothers, e shndërroi rënien e tregut të shtëpive në një panik të përgjithshëm për sektorin financiar. Humbje të papara në sektorin bankar kanë dëmtuar sistemin financiar, ndërkohë që Departamenti i Thesarit dhe Banka Qendrore përpiqen të gjejnë mënyra për ta stabilizuar këtë sektor.

Në komentet para konferencës së kompanive ndërtimore, Michael Moran i shoqërisë së sigurimeve Daiwa Securities, shprehu optimizëm se kriza ka filluar të lehtësohet. Ai tha se nuk parashikon që problemi i kredive të pashlyera të kapërcejë nga tregu i kredive të shtëpive në atë të kredive për makina apo të kartave të kreditit:

"Mendoj se në të ardhmen do të shohim rritjen e zakonshme të normave të interesit për faturat e pashlyera të kredisë së makinave apo kartave të kreditit, siç ndodh në një recesion. Por nuk mendoj se do të ketë një rënie spirale siç ndodhi në tregun e kredive të shtëpive."

Ekonomistë të tjerë që e morën fjalën në konferencë pohuan se ekonomia është në recesion dhe pritet që kjo gjendje të vazhdojë deri nga fundi i vitit 2009. Një ndër arsyet, shpjegon zoti Zandi është se njerëzit janë aq të trembur nga goditja e papritur dhe e rëndë e kësaj gjendjeje ekonomike, sa që po tregohen shumë më të matur me shpenzimet.

Ai parashikon se një rënie edhe më e thellë pritet në të ardhmen, gjë që mund të rrisë nga 6 për qind në 8 për qind nivelin e papunësisë brenda vitit 2009. Këto shkurtime të vendeve të punës do të arrijnë në afro 150 mijë në muaj gjatë muajve të fundit të 2008-s dhe në fillim të 2009-s. Ndërkaq konfiskimet e shtëpive, si rezultat i mospagimit të kredive do të arrijnë pikën kulmore vitin e ardhshëm, duke e tejkaluar shifrën prej 3 milionë shtëpish të konfiskuara nga banka këtë vit. //ad//

XS
SM
MD
LG