Lidhje

SHBA: Për cilin kandidat do të  votojë Virxhinia republikane?


Që prej vitit 1964, shteti amerikan i Virxhinias ka votuar vazhdimisht në zgjedhjet presidenciale për Partinë Republikane, por këtë vit ky shtet mund të votojë për kandidatin demokrat. Sipas anketimeve më të fundit, kandidati demokrat, Barak Obama, gëzon një mbështetje prej 6 për qind më shumë se rivali i tij republikan, Xhon Mekein. Me një popullsi prej mbi 7 milion banorësh, Virxhinia është shteti i 12 më i madh amerikan.



Në një garë të fortë presidenciale, ky shtet mund t’i sigurojë secilit kandidat votat e kolegjit elektoral, të nevojshme për të arritur fitoren. Megjithatë, mendimet e elektoratit në pjesë të ndryshme të Virxhinias janë të ndryshme dhe kjo ndoshta për arsye të 3 grupeve, të cilët më 4 nëntor mund të ndikojnë se kush do të jetë presidenti i ardhshëm i Shteteve të Bashkuara.

Gjatë një shërbimi kishtar, në Universitetin e Krishterë Liberty në pjesën rurale të Virxhinias, studentët mblidhen për të kënduar, për t’u lutur dhe për të bërë plane që sa më shumë njerëz të votojnë.

Mbi 10 mijë studentë janë regjistruar të votojnë në Virxhinia. Shumica shpresojnë që vota e tyre do të bëjë që Virxhinia të vazhdojë të jetë një bazë e fortë e konservatorëve dhe republikanëve. Udhëheqësit studentorë, si Sara Blanzi dhe Methju Mellik thonë se qëndrimi i vendosur kundër abortit i Xhon Mekeinit është kyç për mbështetjen e tyre.

“Një çështje tjetër shumë e rëndësishme për mua është paprekshmëria e jetës. Unë jam kundër abortit”, thotë Sara.
“Mbi të gjitha, vota ime motivohet nga çështja e abortit. Në 35 vjetët e fundit, 48 milion bebe janë vrarë”, thotë Methju.

Por në një tubim për mbledhje fondesh, Latinos For Obama, në kryeqytetin e Virgjinias, Riçmond duket ndikimi i një popullate urbane dhe me larmi etnike në rritje. Aida Paçeko, aktiviste e një grupi hispanik, thotë se politikat e ashpra republikane kundër imigrantëve kanë armiqësuar shumë njerëz të komunitetit hispanik.

“Ne kemi shumë miq emigrantë, që banojnë këtu prej vitesh. Ata punojnë shumë dhe kontribuojnë shumë në ekonominë tonë”.

Në një vit të zakonshëm zgjedhjesh, këto do të ishin çështje të rëndësishme. Por profesori Leri Sabato në Universitin e Virxhinias thotë se ky vit nuk është i zakonshëm.

“Mendoj se çështja kryesore për çdo amerikan është ekonomia. Fillohet me ekonominë dhe vazhdohet me çështje të tjera si emigracioni, lufta në Irak dhe kujdesi shëndetsor”.

Profesori Sabato thotë se një rajon i shtetit, ku lufta në Irak mund të ketë më shumë rëndësi se sa ekonomia është zona bregdetare e Virxhinias, ku ndodhen disa prej bazave më të mëdha të ushtrisë amerikane gjë që ndihmon kandidatin republikan, senatorin Mekein.

“Përgjithësisht kjo e ndihmon senatorin Mekein sepse 17 për qind e popullsisë së Virxhinias janë veteranë lufte. Dhe ata kanë prirje të jenë konservatorë, të respektojnë të kaluarën e zotit Mekein në Vietnam dhe gjetkë dhe kjo e ndihmon atë”.

Nën tingujt e muzikës, veteranët flasin për çështje politike, duke ngrënë mëngjes në një bazë ushtarake të Virxhinias. Xhorxh Rejnolds shpreh atë që konsiderohet si pikpamja mbizotëruese në ushtri.

“Ekonomia është një çështje e rëndësishme, por e tillë është edhe mbështetja për trupat tona, fitorja e luftës dhe jo tërheqja pa kryer detyrën”.

Por Lajëll Predmor thotë se jo të gjithë në ushtri mbështesin Partinë Republikane apo strategjinë e tanishme të luftës.

“Natyrisht që, si njerëz të lidhur me ushtrinë, ne jemi të shqetësuar rreth Irakut dhe Afganistanit. Jam e shqetësuar rreth Irakut sepse ne as që nuk duhet të kishim ndërhyrë atje. Dhe tani na duhet të gjemë mënyrën për t’u larguar”.

Ndërsa gara mes dy kandidatëve presidencialë është shumë e ashpër, Barak Obama dhe Xhon Mekein kanë shpenzuar shumë para dhe kohë në Virxhinia. Pavarësisht se kush fiton më 4 nëntor, profesori Sabato thotë se republikanët nuk mund të mendojnë se e kanë të siguruar këtë shtet. (ze)

XS
SM
MD
LG