Lidhje

SHBA: Sa përcaktues do të jetë roli i grave në zgjedhje?


Dy temat e nxehta të racës dhe gjinisë ende vazhdojnë të jenë pjesë e debatit, ndërsa kanë mbetur më pak se dy javë nga zgjedhjet presidenciale në Shtetet e Bashkuara. Rezultati i tyre gjithsesi do të jetë historik. Për herë të parë në ekzistencën e saj 232 vjeçare, Amerika do të ketë ose presidentin e parë afrikano-amerikan, ose gruan e parë në postin e nënpresidentes. Por çfarë roli luajnë gratë votuese në drejtimin e fushatave dhe sa përcaktues është roli i tyre?

As fushatës së Demokratit Barak Obama dhe as asaj të republikanit Xhon Mekein nuk u ka shpëtuar një fakt i pashmangshëm: Vota e grave është vendimtare në këto zgjedhje. Fushata e Hillari Klintonit brenda Partisë Demokrate dhe më pas përzgjedhja e zonjës Sarah Pejlin si kandidate për nënpresidente e ka vënë edhe më shumë në pah rëndësinë e këtij grupi të madh të popullsisë.

Një të dielë vjeshte, 10 mijë vrapues morën pjesë në një garë bamirësie për kërkime mbi kancerin e gjirit në Xhekson të Nju Xhersit.

Me një numër kaq të madh pjesëmarrësish, ky aktivitet u konsiderua nga Lidhja e Grave Votuese, një shans i përkryer për të regjistruar votues të rinj.

Blanshe Krubner e kësaj Lidhjeje nuk është dakord me idenë se gratë vendosin se për kë do të votojnë në bazë të gjinisë.

“Ato analizojnë qëndrimet e kandidatëve për çështje të ndryshme, analizojnë karakterin e tyre në përgjithësi. Duan të shohin sesa të zotë janë ata. Gratë nuk nisen nga gjinia kur hedhin votën, por nga aftësia”.

Me mbylljen e fushatës së ashpër mes demokratëve, në fund të së cilës senatorja Klinton u tërhoq nga gara dhe Barak Obama u bë kandidati i demokratëve, filloi edhe beteja për të bërë për vete përkrahësit e saj.

Mbështetëset kryesore të Hillari Klintonit, gra të bardha të grupmoshës 45-64 vjeç, përbëjnë një nga grupet më përcaktuese për zgjedhjet e këtij viti. Ky grup është i ndarë në mënyrë të barabartë mes Barak Obamës dhe Xhon Mekeinit dhe mund të anojë nga secili kamp, sipas një ankete të fundit.

Tek disa nga përkrahëset e senatores Klinton, fushata e ashpër mes demokratëve, ka lënë gjurmë aq të thella saqë ato po kalojnë krejtësisht në kampin kundërshtar, duke votuar për senatorin Xhon Mekein, por nuk është e qartë sesa është numri i votuesve që kanë të njëjtat ide.

“Ne mendojmë se Hillarit ia hodhën me emërimin dhe na u duk se partia jonë e grabiti procesin e emërimit. Ne nuk do të ndjekim me sy mbyllur Partinë Demokrate”,thotë Tess Elkins që ka vendosur të votojë për senatorin Mekein.

Numri i grave është më i madh se i burrave mes votuesve. Sipas zyrës së Statistikave, që nga viti 1980 përqindja e grave që kanë votuar ka qenë më e madhe se ajo e burrave dhe që nga viti 1964, numri i grave votuese e ka kapërcyer atë të burrave në zgjedhjet presidenciale. Në vitin 2004, kishte 9 milionë gra të regjistruara për të votuar sesa burra, 72.4 milion gra në raport me 63.4 milionë burra.

Analistët politikë kanë spekulluar se Mekeini e zgjodhi kandidaten për nënpresidente Sarah Palin, për të tërhequr votuese si Elkins, pasi senatori Obama zgjodhi Senatorin Xho Bajden dhe jo senatoren Klinton, si kandidat për nënpresident.

Zonja Palin u përpoq që në fillim të bënte për vete përkrahësit e zonjës Klinton, në fjalimin e saj të parë si kandidate për nënpresidente.

“Me 18 milionë votat e Hillarit, gratë iu afruan fare pranë postit më të lartë, por mesa duket ato nuk do të ndalen këtu dhe ne mund ta shembim këtë pengesë një herë e përgjithmonë”,tha ajo.

Votuesja nga Nju Xhersi, Mishelë Kesh, mendon se të drejta të barabarta për gratë do të thotë se ato mund të kenë ide të ndryshme nga njëra-tjetra.

“Nuk jam dakord me qëndrimet e zonjës Palin dhe nuk mendoj se ajo ka aftësitë për t’u bërë presidente, duke pasur parasysh që kandidati për president është 72 vjeç. Teorikisht ekziston mundësia që ajo të bëhet presidente dhe një gjë e tillë më shqetëson jashtë mase, pasi ajo ka vlera të ndryshme nga të miat”.

Emily’s List është një organizatë aktiviste politike, synimi i së cilës është që të zgjidhen kandidatë që janë pro të drejtës së grave për abort.

Drejtorja Maren Hesla thotë se megjithëse disa përkrahëse të zonjës Klinton e shqyrtuan me kujdes kandidaturën e zonjës Palin, sidmos në lidhje me të drejtën për të zgjedhur...

“Sa më shumë u njohën me qëndrimet e saj, aq më mirë e kuptuan që ajo as nuk krahasohej me Hillari Klintonin”.

Por votuese të tjera gra shohin tek zonja Pejlin veten e tyre.
Mary Ellen Rose e pranon se zgjedhja e zonjës Palin e bëri të interesohej për politikën.

“Jam kaq e lumtur që ajo është grua, që është një nënë hokei”.

Votuesja e pavarur Helen Barr, që ka ardhur për të parë të birin në pistë, thotë se zgjedhja e zonjës Pejlin po e bind të votojë për republikanët.

“Në përgjithësi mamatë e hokeit janë vërtet shumë të gjalla dhe mua më pëlqen kjo cilësi”.

Por në fund të fundit, pas dy vjet fushate, zgjedhësit do ta thonë fjalën e tyre më 4 nëntor. Dhe pritet që me një pjesëmarrje më të madhe se kurrë ndonjëherë të jenë gratë votuese ato që do të përcaktojnë nëse Amerikën për katër vitet e ardhshme do ta drejtojë Barak Obama apo Xhon Mekejni. //ii
XS
SM
MD
LG