Lidhje

Bush firmos protokollet për anëtarësimin e Shqipërisë e Kroacisë në Nato


Presidenti amerikan Xhorxh Bush nënshkroi dokumentet që i hapin rrugën anëtarësimit të Shqipërisë dhe Kroacisë në Nato. Në një ceremoni të zhvilluar mbrëmë në Shtëpinë e Bardhë, Presidenti tha se antarësimi në Nato garanton se nëse ndonjë vend kërcënon Shqipërinë ose Kroacinë, aleantët e Natos do t’u qëndrojnë përkrah për t’u përballur me rrezikun. Në komentet e tij, Presidenti ritheksoi mbështetjen e Shteteve të Bashkuara për anëtarësimin në të ardhmen të vendeve të tjera të rajonit që ushqejnë ambicje për përfshirje në Nato, duke e theksuar Aleancën si një garantuese të lirive themelore njerëzore.

"Ky është një moment i veçantë në historinë shpresëdhënëse të lirive të njeriut, ndërkohë që Amerika zyrtarisht deklaron mbështetjen e saj për futjen e Shqipërisë dhe Kroacisë në Nato. Me ceremoninë e sotme festojmë dy demokracive të reja dhe energjike të cilat po përpiqen të marrin përsipër përgjegjësi të reja në një kohë kur përballemi me terrorizëm dhe luftra," tha Presidenti Bush.

Presidenti theksoi se me nënshkrimin e protokollit për antarësim në Aleancë, forcohet partneriteti i Amerikës me vende që dikur dergjeshin nën prangat e komunizmit. Ky është një moment, tha Presidenti, kur populli amerikan gëzon me popullin shqiptar dhe atë kroat një hap të madh drejt përfshirjes së vendeve të tyre në aleancën më të madhe të lirisë që ka njohur ndonjëherë bota. Presidenti foli në veçanti edhe për rrugën e përshkuar nga këto vende që nga rrëzimi i regjimeve komuniste:

"Laura dhe unë kemi kujtime shumë të mira nga vizitat tona në Tiranë dhe Zagreb, ku u takuam me njerëz që po i tregonin botës potencialin e lirive njerëzore. Popujt e Shqipërisë dhe Kroacisë kanë kapërcyer luftra dhe vështirësi, kanë ndërtuar marrëdhënie paqësore me fqinjët dhe kanë ndihmuar demokraci të tjera të reja të ndërtojnë dhe të forcojnë shoqëri të lira."

Aleanca e Natos, tha më pas Presidenti amerikan, është një garanci e sigurisë së vendeve anëtare, duke shtuar se këto garanci do t’i ofrohen edhe Shqipërisë dhe Kroacisë, pas anëtarësimit të tyre:

"Ftesa për antarësim në Nato është vlerësim për reformat e vështira që kanë ndërmarrë këto vende në rrugën drejt begatisë, dhe paqes. Si shkëmbim, antarësimi në Nato ofron premtimin e sigurisë dhe stabilitetit. Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre qëndrojnë të bashkuar në mbrojtje të anëtarëve të Aleancës. Kur Shqipëria dhe Kroacia të jenë zyrtarisht anëtare të Natos, popujt e tyre duhet ta kenë të qartë se nëse një vend tjetër kërcënon sigurinë e tyre, çdo anëtar i Aleancës do t’u qëndrojë në krah."

Por, anëtarësimi në Nato, theksoi Presidenti Bush, nuk është kurorëzimi i përpjekjeve, por një angazhim i shtuar për të përmbushur standartet demokratike dhe për të vazhduar përpjekjet për demokratizim të mëtejshëm:

"Rruga e reformave nuk përfundon me antarësimin në Nato. Çdo anëtar i Aleancës ka përgjegjësinë të zgjerojë, mbështesë dhe mbrojë kauzën e demokracisë. Kam besim se Shqipëria dhe Kroacia do të përmbushin zotimin e tyre për të forcuar institucionet demokratike dhe sistemet e tregut të lirë. Futja e tyre në Nato është një hap i madh përpara për Ballkanin. Brenda harkut kohor të një dekade, ky rajon është shndërruar nga një pike e globit e përfshirë nga lufta, në një kontribues për paqen dhe stabilitetin. Amerika mirëpret ditën kur Aleanca e Natos përfshin të gjitha vendet e Ballkanit."

Presidenti Bush e shfrytëzoi ceremoninë e mbrëmshme për të theksuar gjithashtu se Amerika mbetet e angazhuar në mbështetje të aspiratave të Ukrainës, Gjeorgjisë, Bosnjes, dhe Malit të Zi. Duart e Aleancës, shtoi President, mbeten të hapura edhe për Serbinë nëse e zgjedh këtë rrugë.

Më pas, fjalën e mori Sekretari i Përgjithshëm i Aleancës, Jap de Hup Skefer, i cili vuri në dukje se rrethanat e zgjerimit të ardhshëm të Natos mund të jenë shumë të ndryshme nga ato që çuan në themelimin e Aleancës rreth 60 vjet më parë, por premtimi i saj për zgjerimin dhe forcimin e demokracisë mbetet po aq aktual edhe sot:

"Me Shqipërinë dhe Kroacinë, dy vende të reja do të futen në familjen tonë trans-atlantike. Një Aleancë që filloi me 12 vende, së shpejti do të përfshijë 28. Aleanca jonë Atlantike lindi gjatë Luftës së Ftohtë dhe i ka kapërcyer me kohë rrethanat që e lindën atë. Natoja, sot, është një Aleancë aktive e angazhuar kundër kërcënimeve të çfarëdo lloji. Sot, dëshmojmë ratifikimin nga Amerika të protokollëve të pranimit. Jemi tani një hap më pranë përfshirjes së Shqipërisë dhe Kroacisë në Nato."

Sekretari i Përgjithshëm i Natos nënvizoi rëndësinë që ka zgjerimi i Natos me vende të Lindjes, në kuadër të përpjekjeve për qëndrueshmëri dhe paqe në Evropë dhe për forcimin e demokracisë në pjesën lindore të kontinentit. Skeffer 11:22 Evropa që po përpiqemi të krijojmë duhet të jetë një kontinent ku vendet janë të lira të vendosin të ardhmen e tyre, dhe jo t’ua diktojë këtë të ardhme dikush tjetër. Në fund të fjalës së tij, Sekretari i Përgjithshëm Jap de Hup Skefer falenderoi presidentin Bush për angazhimin e tij për zgjerimin dhe forcimin e Natos.

Pas fjalës së Presidentit Bush dhe Sekretarit të Përgjithshëm të Aleancës Skefer dhe në prani të ambasadorëve të Shqipërisë dhe Kroacisë, Shefit të Shtatmadhorisë Majk Mëllen, dhe një sërë figurash të larta të administratës dhe Aleancës, presidenti Bush nënshkroi protokollet për antarësimin e Shqipërisë dhe Kroacisë në Nato. //ad//

XS
SM
MD
LG