Lidhje

Anëtarësimi në Nato, Shqipëria falenderon presidentin Bush


Në Shqipëri autoritetet më të larta të vendit përshëndetën sot firmosjen nga presidenti Bush të protokollit të anëtarësimit në NATO. Presidenti Bamir Topi i ka dërguar një mesazh falenderimi presidentit Bush duke vlerësuar se akti i mbrëmshëm rikonfirmoi besimin se Amerika mbetet aleati më i madh dhe më i besueshëm i Shqipërisë. Ndërsa kryeministri Sali Berisha theksoi se Shqipëria tashmë ka përgjegjësi më të mëdha për të konsoliduar shtetin ligjor dhe demokracinë

Shqipëria e përshëndeti firmosjen mbrëmë, nga Presidenti Bush të protokollit të anëtarësimit në Nato, sidomos për faktin se Shtetet e Bashkuara kanë qenë vendi kryesor që kanë nxitur dhe ndikuar të gjithë procesin e integrimit atlantik.

Presidenti Bamir Topi i dërgoi një mesazh falenderimi presidentit Bush ku nënvizon faktin se firmosja e protokollit “rikonfirmoi besimin se Shtetet e Bashkuara mbeten aleati më i madh dhe i besueshëm i Shqipërisë”. Presidenti Topi ka theksuar më tej se “ky vendim inkurajon proceset demokratike në Shqipëri e në të njëjtën kohë forcon vullnetin e popullit shqiptar për të ndërtuar një shtet të së drejtës, të lirisë dhe të respektit ndërinstitucional, nje shtet të aftë për përballuar me sukses sfidat që e ardhmja i rezervon”.

Nga ana e ti kryeministri Sali Berisha u shfaq para mediave pak pas mesditës duke u shprehur se firma e mbrëmshme e presidentit Bush “përbën aktin ligjor më madhor në historinë e marrëdhënieve mes dy vendeve pas njohjes nga “Shtetet e Bashkuara të Shqipërisë së pavarur dhe se përbën një besim të madh për shqiptarët, Shqipërinë, reformat e saj të suksesshme, dhe përpjekjet e saj pas ndarjes nga komunizmi”.

Ky akt, kjo firmë e Presidentit të Shteteve të Bashkuara- tha kryeministri Berisha - është edhe një përgjegjësi madhore për Shqipërinë, shqiptarët, qeverinë shqiptare dhe institucionet e këtij vendi për të konsoliduar nëpërmjet reformave të thella dhe të gjithanshme shtetin ligjor , demokracinë e bazuar në vlerat e tregut. Me këtë rast unë duhet të garantoj qytetarët shqiptarë, duhet të garantoj Presidentin e Shteteve të Bashkuara dhe qeverinë e tij se qeveria ime do të ndërmarë të gjitha masat, do të ndjekë të gjitha reformat në mënyrë që demokracia, shteti ligjor, shoqëria e bazuar në vlerat e lirisë të njohin konsolidime të pandërprera”.

Shqipëria mori ftesën për anëtarësim në Nato së bashku me Kroacinë në prill të këtij viti dhe pranverën e ardhshme ajo pritet të bëhet anëtare me të drejta të plota. Deri tani, 8 vende nga 26 anëtaret e Natos kanë ratifikuar protokollin e anëtarësimit të Shqipërisë në Aleancë. //am

XS
SM
MD
LG