Lidhje

Diskutime Evropë-Azi mbi krizën globale financiare


Udhëheqës të vendeve aziatike dhe atyre evropiane i dhanë të shtunën fund një takimi dy-ditor në Pekin, ku diskutuan për zgjidhjen e krizës globale financiare. Ata thanë se përpjekjet aktuale nuk janë të mjaftueshme dhe se nevojitet bashkëpunim i mëtejshëm për këtë çështje.

Udhëheqësit e më tepër se 40 vendeve aziatike dhe evropiane bënë një deklaratë të përbashkët, me thirrjet për përpjekje të koordinduara për zgjidhjen e krizës financiare.

Udhëheqësit u zotuan se do të japin ndihmën e tyre në përpjekjet për reformin e sistemeve ndërkombëtare monetare dhe financiare. Në një deklaratë, i bëhej gjithashtu thirrje Fondit Monetar Ndërkombëtar, që të luajë një rol udhëheqës, për t’i ndihmuar ekonomitë e vendeve të ndryshme të botës të rimëkëmben.

Kryeministri kinez Wen Gjiabao tha se të gjitha vendet duhet të tregojnë besim, prirje për bashkëpunim dhe përgjegjësi për kapërcimin e krizës. Ai tha se vetëm përmes bashkëpunimit vendet e ndryshme do të kishin fuqinë për kapërcimin e vështirësive.

Ai thotë se besim do të thotë që të gjitha vendet, veçanërisht ato të zhvilluara, duhet ta marrin me shpejtësi masa të rëndësishme për stabilizimin e tregjeve financiare, për t’i bërë njerëzit që të kenë më tepër besim.

Kjo deklaratë bëhet në përfundim të takimit dy-ditor mes përfaqësuesve të vendeve aziatike dhe atyre evropiane, që mbahet me synimin për të rritur mirëkuptimin dhe bashkëpunimin mes kontinenteve.

Ky takim zhvillohet një herë në dy vjet, në kushte normale, vetëm për të diskutuar për çështjet kryesore që lidhen me ekonominë. Por në kushtet e krizës financiare, takimi këtë vit u përqëndrua tek gjetja e një zgjidhjeve për këtë çështje.

Zoti Wen tha se megjithëse ekonomia e Kinës nuk është dëmtuar rëndë nga kriza, ndoshta ajo mund të përjetojë pasoja, me ngadalësimin e kërkesës globale.

Në takim po ashtu u diskutua për çështje të sigurisë, varfërisë dhe ndryshimeve klimatike.

Presidenti i Komisionit Evropian Zhoze Manuel Barrozo tha se kriza financiare nuk ishte një arsye për ta lënë mënjanë përkushtimin ndaj luftës për ndryshime klimatike.

"Ne duhet të biem dakord për një marrëveshje globale, gjithpërfshirëse, sipas parimeve të përgjegjësive të përbashkëta, por të diferencuara për secilin vend. Unë besoj se pas bisedimeve shumë të mira që kemi patur sot është e mundshme arritja e një marrëveshjeje."

Kriza financiare filloi në Shtetet e Bashkuara, kur kredimarrësit nuk ishin në gjendje të paguanin borxhin ndaj bankave dhe kjo i çoi drejt falimentimit bankat kryesore, një pjesë e të cilave u mbyllën, ose u bashkuan me njera tjetrën. Kriza e kredive çoi në ngadalësimin e konsumit, investimeve dhe tregtisë botërore.//ad//

XS
SM
MD
LG