Lidhje

Muzika e Amerikës Latine përhapet gjithnjë e më shumë në SHBA

  • Steve Mort

Ndërsa popullësia hispanike e Amerikës shtohet, muzika e Amerikës Latine po përhapet gjithnjë e më shumë në Shtetet e Bashkuara. Muzikantët, veçanërisht ata nga Meksika gjejnë audiencë të madhe. Por artistët nga vendi i më madh i Amerikës Latine, Brazili thonë se e kanë më të vështirë për të hyrë në tregun amerikan sesa kolegët e tyre nga vende të tjera.

Këngëtarja e muzikës samba Teresa Kristina është një nga yjet më të suksesshme të Brazilit. Ajo ka interpretuar në Indi, Francë dhe Gjermani, por si shumë yje të tjera braziliane, nuk ka qënë në një skenë amerikane.

“Për një arstiste braziliane të këndojë në portugalisht në Shtetet e Bashkuara, vështirësia është se këndon në një gjuhë që askush nuk do ta dëgjojë.”

Kristina thotë se përveç pengesave të gjuhës, madhësia e shumë grupeve braziliane e bën të vështirë udhëtimin në Shtetet e Bashkuara për shkak të shpenzimeve – veçanërisht për shkak të mungesës së sponsorizuesve për koncerte të muzikanëve brazilianë në Amerikë.

“Grupi im është si një familje, dhe turneu pa të gjithë më detyron të vë në rrezik muzikën time.”

Por Bernardo Araujo, që shkruan për muzikën braziliane për gazetën O Globo, nuk është dakort. “Teresës mund t’i duhet të negociojë; mund të marr tre muzikantë në vend të tetëve? Mund të gjejë një baterist në Evropë. Kjo nuk vë në rrezik artin e saj.”

Ishte këtu në restorantin Rio ku Antonio Karlos Jobim kompozoi këngën hit të Bossa Novës në vitin 1964, The Girl from Ipanema. Suksesi i tij i hapi rrugën muzikantëve brazilianë në mbarë botën.

Por sot, muzikantë si Ana Karolina thonë se e kanë të vështirë ta kthejnë popullaritetin e tyre në Brazil në një sukses global. Ajo punon me një grup të madh dhe këndon vetëm në portugalisht. Karolina thotë se në se do të vinte në Shtetet e Bashkuara, do të rrezikonte ndoshta të neglizhonte admiruesit e saj në Brazil. Por megjithatë ajo është e vendosur ta provojë.

“Kjo do të bënte që ta ndërprisja karrierën time këtu në Brazil. Do të jetë e vështirë por do ta provoj.”

Kantautori Çelso Fonseka thotë se i kupton vështirësitë. Por ai beson se muzikantët brazilianë mund të arrijnë tek audienca amerikane. “Antonio Karlos Jobim shkoi në Shtetet e Bashkuara vetëm me muzikën e tij. Ai vendosi një piano në Hotelin Adams në Nju Jork dhe luajti dhe punoi me kompozitorë amerikanë. Ai ishte i vetëm, por ishte i vendosur se muzika e tij ishte e shkëlqyer.”

Bossa Nova përkufizoi imazhin e një gjenerate të tërë në Brazil. Fonseka thotë se muzikantët brazilianë sot duhet të bëjnë më shumë për ta prezantuar Brazilin në një audiencë ndërkombëtare pavarësisht pengesave. //bsa//

XS
SM
MD
LG