Lidhje

SHBA: Qytetet e vogla në Nevada me rol vendimtar në zgjedhje


Nevada është mes pak shteteve, të cilin grupet e pavarura të anketimeve e cilësojnë si të pavendosur, ndërkohë që po afrohen zgjedhjet presidenciale të 4 nëntorit. Ky shtet ka 5 vota të kelegjit elektoral, të cilat tani për tani nuk dihet se kush do t’i fitojë. Nevada votoi për kandidatin republikan në dy zgjedhjet e fundit, më 2000 dhe më 2004-rën. Por siç thuhet në materialin e mëposhtëm, mbështetja për demokratët është diçka e mundur këtë vit zgjedhjesh.

Përamp është një qytet shkretëtirë në Nevadën jugore. Është pikërisht në qytete si ky, ku mund të përcaktohet fitorja për betejën e Nevadës.

Ky qytet, rreth 100 kilometra në veriperëndim të Los Vegasit, tradicionalisht voton për kandidatët demokratë.

Zakonisht kandidatët republikanë gëzojnë mbështetje në Përamp. Por ky qytet, ashtu si gjithë shteti i Nevadës, ka vuajtur ekonomikisht dhe turizmi ka rënë. Demokratët po e ngushtojnë diferencën nëpërmjet fushatave agresive për regjistrimin e votuesve.

Një përpjekje e ngjashme në distriktin Uashu në Nevadën veriore, ka bërë që demokratët të gëzojnë shumicën mes votuesve të regjistruar. Vullnetarja Lelar Hillman shkon shtëpi më shtëpi në Përamp në emër të kandidatit demokrat, Barak Obama. Votuesit i thonë asaj se ata janë të shqetësuar.

Nevada ka shkallën më të lartë të humbjes së shtëpive në gjithë Amerikën dhe tregu i shtëpive ka rënë shumë. Kryetarja e Partisë Republikane të Nevadës, Su Loudën thotë se çështjet kryesore janë ekonomike.

“Për shumë njerëz në Nevada gjendja është e vështirë. Ne kemi një industri të madhe turizmi, e cila ka rënë. Tregu i shtëpive në shtetin tonë është një prej të goditurve më rëndë në gjithë vendin”.

Njerëzit po u kushtojnë vëmëndje kandidatëve presidencialë. Në një bar në Përamp, disa votues ndjekin debatin e fundit presidencial McCain-Obama. Debatet kanë bindur një republikan, zjarrfikësin në pension, James Endersby, që të votojë për senatorin Obama.

“McCain, mu duk shumë i ngurtë e pa entuziazëm, prandaj nuk mendoj se ai do të bëhej një president i mirë. Dhe kjo është arsyeja që do të votoj për Obamën”.

Republikanët, që bëjnë fushatë për senatorin McCain, thonë se ai është më i aftë të përmirësojë ekonominë dhe të luftojë terrorizmin. Ata shpresojnë se zoti McCain do të tërheqë demokratët që mbështetën Hillari Klintonin për në zgjedhjet paraprake.

“Senatori Mekein po tërheq shumë demokratë. Ka shumë përkrahës demokratë të Hillaris, që duan të fitojë Xhon Mekein. Ky është një vit i pazakontë dhe i paparashikueshëm”.

Të dy kandidatët kanë bërë fushatë në Nevada. Ata shpresojnë të tërheqin votuesit e rinj, si 21 vjeçari Methju Xharzen, student në Universitetin e Nevadës në Los Vegas. Ai thotë se shumica e studentëve mbështesin kandidatin demokrat Obama, por jo ai. Ai mendon se zoti Mekein nuk do të ngrejë taksat dhe do ta mbajë qeverinë të vogël dhe të efektshme.

“Për një kohë të shkurtër, që u kam kushtuar vëmëndje zhvillimeve politike, kam parë që qeveria gjithnjë e më shumë nuk mban përgjegjësi. Kriza e fundit financiare ndoshta përfaqëson më së miri gjendjen”.

Margery Kay Behrens është parukjere në Përamp. Ajo mbështet Obamën dhe po përpiqet të tërheqë miqtë e saj të votojnë.

“Mendoj se zgjedhjet e këtij viti janë ndoshta më të rëndësishmet, që kemi pasur, në të paktën 200 vjet. Dhe në se njerëzit nuk votojnë, ata nuk mund të ankohen, prandaj gjëja më e mirë është që të gjithë të votojnë”.

Zyrtarët e fushatave thonë se si vullnetarët edhe votuesit janë shumë entuziastë, por fushatat për regjistrimin e votuesve janë bërë qendër debatesh në Nevada, ku organizata ACORN, grup, që mbështet demokratët, akuzohet për fallsifikime në regjistrimin e votuesve.

Anketimet në Nevada tregojnë se senatori Obama gëzon një mbështetje prej 2 për qind më shumë se sa rivali i tij McCain. Por një anketë e opinionit tregon se dy kandidatët gëzojnë mbështetje të barabartë dhe se gara po intensifikohet.//iç//

XS
SM
MD
LG