Lidhje

Gratë amerikane pranë moshës së pensionit, më të stresuarat


Me thellimin e problemeve financiare në Shtetet e Bashkuara, një numër përherë e më i madh njerëzish po ndjejnë shtërngesën ekonomike. Në një studim të kohëve të fundit të kryer nga Shoqata Amerikane e Psikologjisë, thuhet se gratë pranë moshës së pensionit janë më të stresuarat në këto kohë të vështira.

Ashtu sikurse shumë amerikanë, Elizabeth Slepetz është përpjekur të mos e shikojë llogarinë e saj të pensionit.

“Niveli i ardhurave ka rënë shumë...”

Paratë e akumuluara për pensionin e Elizabetës janë pakësuar me rreth 30 për qind krahasuar me vitin e kaluar. Ndërsa ndodhet në prak të pensionit, pasi është në mes të 60-tave, Elizabet thotë se rënia ekonomike e kohëve të fundit është stresuese.

“Kur të dalim në pension mua dhe burrit tim do të na duhet të jetojmë vetëm me të ardhurat e sigurimeve shoqërore. Ne po planifikionim të kishim të ardhura më tepër, nga llogaria e aksioneve për pensionin”.

Pasiguria e Elizabetës nuk është diçka e pazakontë. Sipas një studimi të kryer nga Shoqata Amerikane e Psikologjisë ekonomia është çështja kryesore që i ka stresuar së tepërmi amerikanët. Katherine Nordal është eksperte e APA-së.

“Ne po shohim se 8 në 10 amerikanë janë të shqetësuar për këtë problem të pashmbullt gjatë viteve të fundit”.

Në të gjithë vendin ka patur njoftime për dhunë e deri vetvrasje për shkak të krizës financiare. Në Masachusets, psh, një grua që nuk ishte në gjendje t’i paguante bankës kredinë e shtëpisë, vrau veten, ndërsa në Kaliforni, një burrë vrau familjen dhe pastaj veten, pasi i humbi paratë në tregun e aksioneve. Por Katherine Nordal thotë se këto reagime nuk janë diçka normale.

“Duket qartë se ky është një reagim tepër ekstrem dhe nuk është ai lloj reagimi që presim nga njerëzit që ndjejnë shtërngesën ekonomike. Unë mendoj se në raste të tilla, njerëzit kanë patur një numër çështjesh të tjera që i shqetësonin”.

Për shumicën e popullatës, përballimi i krizës do të kërkojë zgjidhje praktike. Elizabet thotë se humbjet e saj financiare, ndoshta do ta detyrojnë të ndërrojë stilin e jetesës kur të dalë në pension.

“Do të na pëlqente shumë të udhëtonin, të shkonim në Evropë, të shkonim për turne me anije, apo të bënim shumë gjëra të tjera në jetë, por tani më duket se nuk do të jemi në gjendje për një stil të tillë jetese”.

Shqetësimi i saj më i madh tani për tani është të paguajë për sigurimin shëndetësor gjatë viteve të pensionit.

“Jam e shqetësuar për shëndetin e burrit tim. Kur ai të dalë në pension, nuk do ta ketë më sigurimin për spitalin, prandaj do të na duhet të mbështetemi vetëm tek programet Medicare dhe Medicaid që ofron shteti për personat me të ardhura të pamjaftueshme. E ardhmja na frikëson”.

Sipas studimit të APA-së, gratë po i ndjejnë më tepër se burrat pasojat e stresit financiar, sidomos gratë mbi moshën 63 vjeçare.

“Ky fakt të çudit, për faktin se zakonisht, kjo është një grupmoshë kur gratë janë më pak të stresuara. Normalisht, në këtë moshë ato i kanë rritur fëmijët dhe dalin ose janë në prag të daljes në pension”.

Zonja Nordal thotë se ka gjëra të thjeshta që mund të bëjnë njerëzit për të pakësuar stresin, si për shembull të hanë dhe të flenë rregullisht, si dhe të takohen më shpesh me familjarët dhe me miqtë.

“Sipas disa studimeve, një ose dy ecje të shkurtëra dhe të shpejta në ditë janë të efektshme për të çliruar simptomat e lehta të depresionit, ashtu sikurse ilaçet”.

Elizabeta përpiqet ta largojë stresin duke ecur rreth 8 kilometra në ditë. (ze)

XS
SM
MD
LG