Lidhje

Takimi Rama-Vukceviç mbi trafikun e organeve njerëzore


Kryeprokurori serb për krimet e luftës, Vladimir Vukçeviç, zhvilloi sot në Shqipëri bisedime me Kryeprokuroren Ina Rama mbi pretendimet që të burgosur serbë të kapur gjatë konfliktit të Kosovës, ishin transferuar në Shqipëri, ku sipas disa njoftimeve u janë marrë dhe shitur organet.

Prokurorja e Përgjithëshme, Rama, bëri prezente gjatë takimit rezultatet e një procesi inspektimi dhe verifikimi të përbashkët nga hetues të ardhur nga Haga dhe nga prokurorët e rrethit të Matit në disa ambiente në zonën e Burrelit. Hetuesit e Hagës së bashku me prokurorët e Matit arritën në konkluzionin se të dhënat që posedonin hetuesit e Hagës për atë që pretendohej se kishte ndodhur në Burrel nuk rezultuan të vërteta.

Gjatë takimit të zhvilluar sot në prokurorinë shqiptare, palës Serbe i është sqaruar pozicioni dhe të drejtat procedurale të prokurorisë Shqiptare në lidhje me veprimet e kërkuara për t'u kryer nga autoritetet serbe në lidhje me këtë çështje.

Hetimi që u hap para disa muajsh, pason pretendimet e ish-kryeprokurores së Gjykatës së Hagës, Karla del Ponte, sipas së cilave mbi 300 të burgosur serbë ishin transferuar në Shqipëri. Zonja Del Ponte shkruan në librin e saj, se të burgosurve iu hoqën organet për t'iu shitur klinikave të huaja, para se të vriteshin. Zyrtarë të gjykatës për krime lufte thanë në prill se një hetim paraprak nuk nxorri ndonjë të dhënë që të mbështeste pretendimet e zonjës del Ponte. (ze)

XS
SM
MD
LG