Lidhje

Obama, Mekein në përpjekjet e fundit për të mobilizuar votuesit


Fushata presidenciale këtu në Shtetet e Bashkuara është në javën e saj të fundit dhe dy kandidatët po dalin me argumentat e tyre përmbyllëse në kërkim të votave për zgjedhjet e 4 nëntorit. Të martën të dy kandidatët Obama dhe Mekein do të jenë në shtetin e Pensillvanisë.

Demokrati Barack Obama vazhdon të ketë epërsi në anketimet kombëtare në shumicën e shteteve kyçe për zgjedhjet e javës së ardhshme. Por ai u bëri thirrje votuesve të mos mendojnë se zgjedhjet kanë përfunduar dhe të vazhdojnë me mbështetjen e tyre deri në ditën e fundit.

Zoti Obama është përqendruar në mesazhin e ndryshimit dhe bashkimit në këto ditë të fundit. Ai tha se nëse do të zgjidhej president, do të merrej me bashkimin e vendit për t’u përballur me sfidat ekonomike brenda vendit dhe ato të sigurisë jashtë tij. Ai edhe dje vazhdoi me mesazhin e tij se zoti Mekein përfaqëson vazhdimin e atyre që ai quajti politika të dështuara të presidentit Bush.

"John McCain mund të jetë i shqetësuar se do t’i humbë këto zgjedhje, por unë shqetësohem për amerikanët që po humbin shtëpitë e tyre, punët e tyre, kursimet e tyre. Une mund të duroj edhe katër javë sulme nga Xhon Mekein por vendi nuk mund të përballojë edhe katër vjet politika të dështuara. Ka ardhur koha për ndryshim.”

Senatori McCain ndërkaq vazhdoi fushatën në shtetin e Ohaios ku vuri theksin mbi çështjen e ekonomisë që sipas anketimeve vazhdon të jetë çështja më me rëndësi për amerikanët në këto zgjedhje. Ai tha se ndryshimet mes tij dhe senatorit Obama janë të mëdha dhe objektivat e tij ekonomike janë shumë të qarta. Zoti Mekein vazhdoi ta distanconte veten nga politikat ekonomike të presidentit Bush dhe vërejti se amerikanët duan ndryshim. Senatori republikan vazhdoi të sulmonte propozimet në lidhje me taksat të senatorit Obama që disa nga mbështetësit e zotit Mekein i krahasojnë me politika socialiste.

"Ky është problemi me qasjen e senatorit Obama ndaj ekonomisë sonë. Ai ka më shumë interes ta kontrollojë pasurinë sesa ta krijojë atë, është më i interesuar ta shërndajë pasurinë sesa të nxisë mundësitë ekonomike. Unë do të shtoj të ardhurat e të gjithë amerikanëve dhe do të krijoj më shumë mundësi ekonomike.”

Fakti që të dy kandidatët zhvilluan fushatë në të njëjtën ditë në shtetin e Ohajos tregon rëndësinë e votave të këtij shteti për zgjedhjet. Asnjë kandidat republikan nuk ka fituar zgjedhjet presidenciale pa pasur votat e Ohajos. Ndërsa Xhon Kenedi ishte kandidati i fundit demokrat që fitoi presidencën në vitin 1960 pa fituar shtetin e Ohajos. Anketimet e fundit i japin një epërsi të lehtë kandidatit demokrat në këtë shtet. //ad//

XS
SM
MD
LG