Lidhje

Energjia, një ndër çështjet kryesore në garën presidenciale amerikane


Energjia është një ndër çështjet kryesore në garën presidenciale amerikane. Të dy kandidatët kanë theksuar uljen e varësisë nga nafta e huaj, sidomos nga ato vende që kundërshtojnë politikat amerikane. Demokrati Barak Obama është për shtimin e investimeve në burimet alternative të energjisë. Republikani Xhon Mekein është për intensifikimin e shpimeve në det dhe për energjinë bërthamore, mes të tjerash. Le t’i hedhim tani një vështrim propozimeve të dy kandidatëve për energjinë.

Kriza energjitike është zbutur disi. Çmimet e benzinës kanë rënë nga piku i verës, megjithatë votuesit thonë se energjia është e nde një çështje me rëndësi kritike.

"Fakti që çmimet e naftës kanë rënë kaq shumë nënkupton se nuk do të ketë financim për propozimet e kandidatëve mbi energjinë alternative, " thotë një votues.

Dy kandidatët thonë se Shtetet e Bashkuara duhet të mos blejë më naftë nga vendet jomiqësore. Sipas senatorit Obama, shitjet e naftës ndihmojnë qeveritë e Rusisë, Venezuelës dhe Iranit.

"Ne duhet ta zgjidhim këtë menjëherë. Prandaj unë kam bërë thirrje për të investuar 15 miliard dollarë në vit gjatë 10 vjetëve. Qëllimi ynë duhet të jetë që brenda 10 vjetësh, ne të shkëputemi nga varësia e naftës së Lindjes së Mesme."

Plani i zotit Obama kërkon që qeveria të investojë në teknologji të reja për të shfrytëzuar për shembull energjinë e diellit, të erës dhe të oqeaneve.

Studiues si Rik Driskoll në Universitetin Atlantik të Floridës thonë se financime të tilla mund të ndihmojnë shumë.

"Kjo natyrisht e kalon çdo financim të mëparshëm të bërë në lëndët djegëse të ripërtëritëshme prandaj do të shohim mjaft përparim në të ardhmen. Por nëse shikojmë krejt tablonë e energjisë, ky është sidoqoftë një fraksion fare i vogël i parave që shpenzohen në total për energjinë."

Projekte si ai i Universitetit Atlantik të Floridës për shfrytëzimin e energjisë detare mund të përfitojnë nga plani i zotit Obama.

Zoti Driskoll thotë se cilido që do të zgjidhet president duhet gjithashtu të përmirësojë bashkëpunimin mes sektorëve publikë dhe privatë për zhvillimin e teknologjive alternative si dhe për t’i hedhur ato në treg.

Senatori Mekein është gjithashtu për një përdorim më të madh të energjisë alternative. Një propozim është forcimi i lidhjeve me Brazilin, i cili kryeson në botë përsa i përket përdorimit të etanolit.

"Unë do të hiqja tarifat ndaj etanolit të importuar nga Brazili që prodhohet nga kallam-sheqeri," ka thënë senatori Mekein.

Megjithatë, një pjesë e rëndësishme e fushatës së zotit Mekein është inkurajimi i prodhimit të naftës në vend, sidomos në det, përballë brigjeve amerikane.

"Ne mund të shpojmë në det qysh tani. Dhe duhet ta bëjmë këtë tani. Kjo do ta ulte çmimin e naftës sepse i tregon botës se ne kemi rezervat tona."

Zoti Mekein thotë se do të eliminonte kufizimet e vëna dy dekada më parë për shpimet e reja në det.

Edhe senatori Obama mbështet shpimet e reja në det por vetëm si pjesë të një zgjidhjeje më të gjerë.

"Ne kemi vetëm 3-4% të rezervave botërore të naftës dhe përdorim 25% të naftës botërore, pra është e pamundur ta zgjidhim problemin vetëm duke bërë shpime."

Horg Pinjo, i cili merret me energjinë në Qendrën e Politikës për Hemisferën Perëndimore në Miami, thotë se shpimet në det janë të justifikueshme por jo sepse politikanët thonë se kjo mund të ulë çmimet e benzinës.

"Kjo është krejt e gabuar. Çmimet e naftës kontrollohet nga forcat e tregut botëror, jo vetëm nga shpimet në Florida. Por çështja e shpimeve në det është strategjike, ajo është në interesin kombëtar të Amerikës."

Do të jenë votuesit ata që do të vendosin se cila është zgjidhja më e mirë dhe cilin drejtim do të marrë sektori amerikan i energjisë në vitet e ardhshëm. (ze)

XS
SM
MD
LG